Receta e rekomanduar nga ne sot është sallatë orizi e ftohtë, e cila mund të konsumohet në çdo kohë të vitit.
Priza.al sjell në vëmendjen tuaj recetën e plotë me përbërësit dhe mënyrën e përgatitjes
Përbërësit:
- 300gr oriz kokërrgjatë
- 150gr djathë kaçkavall të butë (ose djathë picash)
- 100gr bizele të ziera
- 100gr ullinj të zinj
- 10-15 domate qershizë (ose 2 domate mesatare të zakonshme)
- 1 spec të madh të kuq ose të verdhë
- 2 kuti peshk ton nën vaj (160-200gr)
- 4 salçiçe wudi të vogla
- 4-5 kastravecë të vegjël turshi
- 1 tufë majdanoz
- pak majoneze ose vaj ulliri
Përgatitja:
Fillimisht vendosni të zieni në një tenxhere orizin dhe më pas filloni të përgatisni përbrësit e tjerë.
Ndani domatet, specat dhe djathin në kubikë të vegjël. Më pas prisni salicicet, ullinjtë dhe kastravecët turshi në rrathë dhe i hedhim të gjitha në një enë duke i përzierë mirë. Më pas kulloni orizin dhe shpërlajeni atë me ujë të ftohtë dhe bashkojeni me përbërësit e tjerë, ku do të shtoni peshkun ton dhe bizelet. E mbulojmë tasin me letër transparente dhe e vendosim në frigorifer për minimumi 1 orë derisa shijet të bashkohen me njëra-tjetrën.
Në fund mund të shtoni 1-2 lugë majonez ose pak vaj ulliri duke e përzierë mirë.
Ju bëftë mirë!