Viti 2020 që ishte viti i pandemisë, izoloi dhe mbylli dyert e vendit tonë për lëvizjen e lirë të qytetarëve, por jo për atë të mallrave dhe sidomos të kontrabandës.
Kjo e fundit mësohet të ketë kapur përmasa të frikshme gjatë vitit që vendi ishte i izoluar, ku pikat doganore edhe pse nuk përpunuan mjete me udhëtarë, kishin një fluks normal të lëvizjes së mallrave gjatë gjithë kohës.
“Priza.al” ka mësuar se gjatë vitit që lamë pas, nga pik-kalimet tokësore kufitare, por edhe ato të porteve detarë që lidhin vendin tonë me Italinë, lulëzoi një kontrabandë e jashtëzakonshme mallrash të ndryshme, ndër të cilët edhe gomat e përdorura.
Këto të fundit që kanë mbushur me qindra servise në të gjithë vendin, vijnë kryesisht nga Greqia në drejtim në Shqipërisë, por nga disa kompani apo subjekte, goma të përdorura sillen edhe nga Italia.
Gomat e përdorura që hyjnë në Shqipëri kontrabandë, më pas vishen dhe lustrohen, si dhe stampohen duke u shitur më pas si të reja. Çmimet e tyre varjojnë nga 40 euro copa (më të lirat) për autoveturat deri te goma që sipas markës që kanë shkojnë edhe deri në 1000 euro copa.
Shoferët që i blejnë ato për të reja, kryesisht për autovetura, pohojnë se këto goma, kanë një konsum të shpejtë, madje nuk janë aspak të sigurta sepse çahen ose deformohen sidomos në batistradë duke krijuar gunga dhe duke sjellë më tej edhe probleme xhenerike për automjetet.
Por me qindra gomisteri dhe ofiçina në të gjithë vendin, i marrin me shumicë gomat e përdorura dhe i tregtojnë për të reja, me stampa dhe me letërgarancie shoqëruar.
Si erdhi denoncimi
Ishte letra denoncuese e një ish-zyrtari të doganave dhe më saktë e ish-shefit të antikontrabandës, Marjan Laca, publikuar në rrjetet sociale, e cila denoncoi dhe hodhi sërish dritë mbi veprimtarinë gjigande kriminale të kontrabandës me gomat e përdorura në Shqipëri.
Letra e ish-shefit të Antikontrabandës, u drejtohej dhe synonte të vinte në dijeni ministrinë e Financave, Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, Departamentin Operativ Hetimor dhe Drejtorinë e Atikontrabandës, si dhe shefat përkatës, për skandalin e madh me kontrabandën e përmasave të frikshme që kishte plasur thuajse nga të gjitha pikat doganore.
Sipas letrës, kryesisht nga dogana e Kakavijës por edhe nga doganat e Porteve detare të Vlorës dhe Durrësit, hynin sasi të konsiderueshme gomash të përdorura, me kamionë por edhe me autobusë të linjave, që edhe pse ishin thuajse pa udhëtarë i mbushnin bagazhet e tyre plot me goma të përdorura
Por sipas ish-doganierit Laca, në ndryshim nga shoferët e kamionëve, brenda gomave të përdorura, shoferët e autobusëve fshihnin edhe celularë ose sende të tjera me vlerë që futeshin po ashtu kontrabandë, në një kohë që skanerët e pikave doganore mbaheshin të fikur.
Në emër të kujt bëhej kontrabanda?
Duke hedhur dritë mbi këtë skemë kontrabande me gomat e përdorura, ish-zyrtari i Doganave, Marjan Laca, ka dashur që të vërë në dijeni shefat më të lartë të Administratës Doganore, duke vënë theksin edhe në shkatërrimin e punës së mirë 2-vjeçare që bëri njësia e Antikontrabandës, e ngritur nën kujdesin e partnerëve anglez.
“Pikë së pari Ju informoj dhe Ju bëj me dije se grupet e Antikontrabandës Tokësore, sidomos ato të Kakavijës, Kapshticës, Tiranës dhe të Durrësit, dy javët e fundit të muajit dhjetor 2020, kanë përfituar nga aktiviteti kriminal kontrabandist shuma që variojnë nga 15-20 mijë euro në javë, (grupet që Ju keni planifikuar në pikat kyçe), për t’u ndarë më pas kjo shumë sipas piramidës”,- nis Laca letrën e tij.
Sipas tij, “Doganat tona nuk regjistrojnë asnjë nga këto raste, por kolegët e fqinjëve tanë i kanë të regjistruara pikë për pikë.
Furgonat e anglezëve të cilët tashmë janë vënë nën shërbimin total të kontrabandës ju kapen përditë me qindra mijëra paund Cash në portet e fqinjëve tanë. Dy janë doganat të cilat këta individë janë instruktuar të kalojnë, vetëm nga Vlora dhe Durrësi.
Në pikën doganore Kakavijë: kontrabanda më së shumti në zonën e Jugut po lulëzon. Grupet e antikontrabandës aty shkojnë pikërisht për të mos bërë asgjë. Ndryshe s’ka si shpjegohet se kontejnerët me mallra kinez, furgonat, gjëja e gjallë, telefonat celularë, gomat e përdorura të Shuaipit, etj., kalojnë ditën për diell e natën për hënë pa asnjë problem”.
Por veç Kakavijës, ish-doganieri Laca përmend edhe doganën e Kapshticës, për të cilën thotë se aty gomat e përdorura kalojnë kryesisht me kamionë gjatë natës.
“Gomat e përdorura futen në Kapshticë gjatë natës. Gjatë kohës kur drejtoja AK-në nuk kam lejuar kurrë të futen goma kontrabandë, duke qenë se janë të patretshme për 100 vjet, si dhe janë një mall tejet i rrezikshëm”,- shton ai.
Në ditët në vijim “Priza.al” do të sjellë fakte, prova dhe emra që kanë lidhje me këtë kontrabandë, që dëmton jo vetëm automjetet dhe xhepat tanë, por rrezikon si jetën tonë ashtu dhe mjedisin në vend për shkak të elementëve ndotës që mbartin gomat tejet të konsumuara.
Vijon…./Priza.al/