Partia e Lirisë ka deklaruar se futja e naftës kontrabandë nga Libia është një shkelje e rëndë e ligjit.
Me anë të një deklarate për mediat, Sekretari i Përgjithshëm i PL, Tedi Blushi tha se policia e shtetit ka kapur një anije me 2275 ton naftë kontrabandë në portin e Durrësit. Më tej ai ka shtuar se ky është një skandal akoma më i madh duke qenë se Shqipëria ështrë Anëtare e NATO-s.
Tedi Blushi theksoi se institucionet duhet të japin llogari se kush ishte agjencia doganore që do të kryente procedurat dhe se kush ishin porositësit. Ai ka akuzuar kryeministrin Edi Rama, duke thënë se ai është bekuesi dhe përfituesi kryesor, përgjegjësi për të cilën ai shumë shpejt do të japë llogari para popullit shqiptar dhe drejtësisë.
Deklarat e plotë
Kanë kaluar më shumë katër ditë që kur Policia e Shtetit kapi një anije me 2275 ton naftë kontrabandë në portin e Durrësit. Deri tani nuk ka asnjë informacion nga autoritetet shtetërore, në veçanti nga institucionet e sigurisë kombëtare mbi këtë ngjarje kaq të rëndë, që përbën një shkelje flagrante të Rezolutës së Këshillit të Sigurimit për embargon ndaj Libisë.
Skandali bëhet edhe më i rëndë në rrethanat kur Shqipëria është vend anëtar i NATO-s dhe anëtar i Këshillit të Sigurimit të OKB, të cilin edhe e ka drejtuar. Në këtë situatë që e vë Shqipërinë në pozicionin më të shëmtuar në raport me partnerët ndërkombëtarë, por mbi të gjitha në raport me veten, është një detyrim kushtetues që Qeveria, Policia e Shtetit, Shërbimi Informativ Shtetëror, Prokuroria dhe institucionet e tjera përgjegjëse të sigurisë dhe inteligjencës të sqarojnë sa më parë se:
E informuar që 48 orë më parë nga agjencitë partnere për mbërritjen e anijes, përse u lejua futja e saj në ujrat territoriale shqiptare?
Kush ishte porositësi apo porositësit e kësaj sasie të madhe nafte, që më pas rezultoi se ishte kontrabandë?
Cila ishte agjencia doganore që do të kryente procedurat për ankorimin e anijes deri në shkarkimin e saj në depozitat e naftës në Porto Romano?
Përse Policia e Shtetit derimë tani ka arrestuar vetëm libianët dhe sirianët që shërbenin në anije dhe askënd tjetër nga ata që e kanë porositur ngarkesën duke i dhënë garanci të marrë detin për ditë të tëra nga Libia në Durrës?
Cili është roli i luajtur nga agjencitë shqiptare të sigurisë dhe inteligjencës pasi situata rëndohet nga fakti që tentativat për kontrabandën e naftës janë një rast I përsëritur, çka do të thotë se thyerja e embargos ka qenë e vazhdueshme?
Është e qartë pra se ka patur një arsye shumë të fortë për kompaninë shqiptare të kthejë kësaj here mbrapsht, në momentin e fundit, ngarkesën, që në total vlerësohet të kapë një vlerë rreth 4.2 milion dollarë.
Arsyeja ka qenë jo nga institucionet shqiptare të sigurisë dhe të inteligjencës por nga agjencitë e vendeve partnere. Pra po të mos ishte për to, kontrabanda dhe thyerja e embargos do të vazhdonte si më parë.
Porositja e naftës nga Libia nuk është i vetmi rast në këto muaj, sepse edhe më herët, të tjera sasi nafte nga ky shtet janë porositur për tregun shqiptar.
Skandali thellohet dhe rëndon edhe më shumë përgjegjësinë e institucioneve të sigurisë kombëtare dhe të inteligjencës, sepse futja e naftës kontrabandë në Shqipëri është një shkelje shumë e rëndë, jo vetëm për ligjet e vendit që parashikojnë nga gjobë deri në 7 vite burg, por mbi të gjitha është shkelur Rezoluta e Këshillit të Sigurimit 2644 (2022) , pjesë e së cilës është edhe Shqipëria, e cila miratoi unanimisht zgjatjen e embargos së naftës dhe produkteve të tjera me Libinë deri në 30 tetor të vitit të ardhshëm.
Kush i ka dhënë garanci porositësit apo porositësve shqiptarë të shkelnin embargon e naftës nga Libia?
Kush i njoftoi ata për sinjalizimin e anijes nga shërbimet partnere, çka i detyroi në momentet e fundit të refuzonin ngarkesën?
Kush e dekonspiroi paralajmërimin e shërbimeve partnere dhe në këmbim të çfarë?
Përse institucionet heshtën në dy rastet e para, kur ende ishte në fuqi Rezoluta e Këshillit të Sigurisë për embargon e naftës dhe produkteve të tjera me Libinë?
Nëse institucionet shqiptare janë në dijeni se cila kompani është furnizuar me naftë kontrabandë nga ana e Libisë, a janë hetuar dhe a janë vendosur para përgjegjësisë?
Është e qartë se Edi Rama është bekuesi dhe përfituesi kryesor i kontrabandës së naftës në Shqipëri, përgjegjësi për të cilën ai shumë shpejt do të japë llogari para popullit shqiptar dhe drejtësisë së pa kapur. Ora e llogaridhënies po afron.