Megjithëse nuk e vlerësojnë kontrollin e çmimeve nga shteti si një zgjidhje për funksionimin normal të tregut, tregtarët e produkteve që janë bërë objekt i “bordeve të transparencës” duan të shmangin përplasjen me shtetin dhe po pranojnë kompromisin e çmimeve të diktuara, me marzhe fitimi minimale.
Sulmi rus në Ukrainë dhe efekti i fortë që kjo ngjarje dha në tregjet e produkteve bazë të konsumit është shoqëruar me rritje të fortë të çmimeve të shumë produkteve bazë të konsumit.
Përballë kësaj situate, qeveria shqiptare vendosi, në mënyrë të paprecedentë, të ndërhyjë në lirinë e tregut, duke kontrolluar çmimet në tregje që nuk janë ligjërisht nën rregullim ekonomik. Fillimisht, objekt i një mase të tillë u bë tregu i hidrokarbureve, në të gjitha nivelet e tregtimit.
Kjo ndërhyrje u bë nëpërmjet një akti normativ të datës 5 mars, “Për disa shtesa në ligjin Nr. 8450, datë 24.2.1999, “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, të gazit dhe nënprodukteve të tyre të ndryshuar”.
Pas hidrokarbureve, radhën e patën produktet ushqimore të konsumit bazë. Në këtë rast, çështja ishte ligjërisht e paqartë deri në në datë 30 mars, kur qeveria botoi në Fletoren Zyrtare një akt normativ që në fund mbante datën 18 mars, por që për gati dy javë nuk ishte bërë publik.
Bordi i Transparencës dhe Monitorimit të Çmimeve të Tregtimit me Shumicë dhe Pakicë të produkteve ushqimore bazë dhe produkteve të tjera të lidhura me to do të ketë përbërje dhe funksionim të ngjashëm me atë të Hidrokarbureve, me përfaqësim nga drejtues të institucioneve publike dhe të bizneseve.
Bordi ka këto kompetenca të miratojë listën e produkteve ushqimore bazë dhe produkteve të tjera të lidhura me to, të zbatojë metodologjinë e përcaktuar për vendosjen me transparencë të plotë të marzhit të fitimit, të vendosë marzhin e fitimit në bazë të monitorimit të çmimeve dhe të njoftojë në mënyrë periodike marzhin e fitimit.
Respektimi i çmimeve dhe marzheve të parashikuara do të jetë objekt kontrolli nga organet tatimore. Të gjitha subjektet që tregtojnë produkte me shumicë janë të detyruara të marrin masa për mbajtjen e rezervave që tregtojnë, për një periudhë 3-mujore ose në përputhje me jetëgjatësinë e produktit.
Në rast të mosrespektimit të marzhit të fitimit të vendosur nga Bordi, subjektet e tregtimit me shumicë të produkteve ushqimore bazë dënohen me gjobë, në masën dhjetë milionë lekë dhe subjektet e tregtimit me pakicë dënohen me gjobë, në masën dy milionë lekë. Në rast përsëritjeje, gjobave iu shtohet edhe pezullimi i ushtrimit të aktivitetit dhe sekuestrimi i produkteve në gjendje inventari.
Akti normativ ka si referencë të vetme ligjore nenin 101 të Kushtetutës, që parashikon të drejtën e qeverisë për të vepruar me akti normative me fuqinë e ligjit, në raste nevoje dhe urgjence. Kontrolli i çmimeve nga Bordi i posaçëm do të justifikohet me ekzistencën e një situate të veçantë.
Si të tilla përkufizohen të gjitha ato raste, të cilat krijojnë situatë emergjente kur tregu i disa produkteve ushqimore bazë dhe produkteve të tjera të lidhura me to, karakterizohet nga rritja e ndjeshme e çmimit të tyre në treg, ulja në mënyrë të ndjeshme e importeve mesatare të produkteve ushqimore bazë, për shkak të mungesave në tregun ndërkombëtar, apo çdo situatë tjetër e krijuar në tregun ndërkombëtar, e cila ka sjellë deformime në tregun vendas. Situata e veçantë mund të shpallet me vendim të Këshillit të Ministrave.
Fryma e këtij akti normative është e paprecedent në më shumë se 30 vjet ekonomi tregu, sepse ai përcakton se qeveria mund të vendosë gjendjen e situatës së veçantë dhe të kontrollojë çmimet e produkteve ushqimore bazë në çdo kohë që ka luhatje apo shtrëngime në tregjet e mallrave.
Qeveria: Nuk kontrollojmë çmimet, por…marzhet!
E ndodhur përballë një presioni në rritje nga opinioni publik, qeveria ka vendosur të reagojë jo në mënyrën më të natyrshme, me politika fiskale, por duke prekur lirinë e tregut.
Kryeministri dhe ministrja e Financave, në deklarimet e tyre, përpiqen vazhdimisht të theksojnë se qeveria nuk dëshiron të ndërhyjë në tregje, por e justifikojnë këtë praktikë me rrethanat e jashtëzakonshme.
Duke mbrojtur aktin normativ në Kuvend, ministrja Ibrahimaj tha se “çmimet varen nga tregu, nuk i ngre apo i ul Bordi. Bordi i Transparencës kontrollon marzhet dhe jo çmimin”. Të thuash se Bordi kontrollon marzhet, por jo çmimet, është padyshim një sofizëm, madje as shumë i rafinuar.
Është e qartë se qeveria po kontrollon atë pjesë të çmimit që mund të kontrollojë: nëse Bordi do të merrte përsipër të kontrollonte çmimet, pa marrë parasysh as lëvizjet e bursës, tregjet e mallrave do të zbrazeshin në pak javë.
Edhe brenda mazhorancës, kjo lëvizje është pritur me rezerva. Ish-zëvendëskryeministri Erion Braçe, vuri në dukje gjatë diskutimeve në Kuvend se fiksimi i çmimeve ka anuluar konkurrencën në tregun e karburanteve.
Përpara kësaj lëvizjeje, pikat më të vogla të pakicës (të ashtuquajturat “pika të bardha”, që nuk janë të pranishme në tregun e importit apo shumicës) aplikonin çmime ndjeshëm më të lira se pikat në pronësi të importuesve dhe tregtarëve të mëdhenj me shumicë. Megjithëse çmimet e vendosura nga Bordi janë të përcaktuara si vlera tavan, praktikisht karburanti shitet kudo me të njëjtin çmim.
Karburantet, kontrolli i çmimeve rrezikon më të vegjlit
Sipas aktit normativ të datës 5 mars “Për disa shtesa në ligjin Nr. 8450, datë 24.2.1999, “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, të gazit dhe nënprodukteve të tyre të ndryshuar”, çmimi i tregtimit të karburanteve në vend përcaktohet bazuar te çmimi i bursës Platts në ditën pararendëse, së cilës i shtohet një vlerë premio prej 20 USD/ton, si dhe një marzh fitimi prej 1% në nivel shumice dhe 5% në nivel të tregtimit me pakicë.
Të kontaktuar nga “Monitor”, disa prej drejtuesve të kompanive të tregtimit me shumicë të naftës nuk u shprehën të gatshëm të komentonin vendimin e qeverisë, për të kontrolluar çmimet e karburanteve.
Megjithatë, në një reagim të Shoqatës së Hidrokarbureve në muajin mars, shprehet qartësisht shqetësimi se fiksimi i marzheve të tregtimit aktual mund të shkaktojë humbje dhe mbyllje të bizneseve të tregtimit të karburanteve, sidomos në nivelin e tregtisë me pakicë.
Mbështetur në formulën e mësipërme, shoqata shprehet se marzhi bruto për tregun e pakicës është shumë i ulët dhe nuk i mbulon kostot mesatare fikse të operimit të një pike shitje të karburantit me pakicë. Këto kosto fikse përfshijnë taksat vendore, lejet mjedisore, kalibrimin, kontrollin e kasave, energjinë elektrike, pagat e punonjësve, sigurimet, tatimfitimin, TVSH.
Sipas Shoqatës, kostot fikse për një pikë të tillë shkojnë afërsisht në 19 lekë për litër. Ndërkohë, marzhi nominal i fitimit për rastin kur karburanti importohet me 100 lekë për litër rezulton rreth 5 lekë për litër. Operatorët paralajmëruan se sidomos për pikat e vogla, që nuk janë pjesë e zinxhirëve të mëdhenj, fiksimi i çmimeve pa marrë parasysh kostot fikse do të çojë në falimentime dhe shkurtime nga puna të punonjësve.
Aktualisht, nga rreth 1500 pika që ka në vend, rreth 73% e tyre janë biznese të vogla. Ndërkohë që shumë pika do të shkurajohen të furnizohen me naftë dhe kjo mund të krijojë probleme në furnizimin me karburant, paralajmërojnë tregtuesit.
Qeveria pranoi të ndryshojë formulën e llogaritjes së çmimit, duke iu njohur pikave të shitjes me pakicë një kosto fikse prej 15 lekësh për litër. Kjo kosto e njohur është gjithsesi më e ulët se ajo e pretenduar nga Shoqata e Hidrokarbureve. Duke shtuar edhe një marzh prej 5%, në total marzhi bruto do të arrinte në afërsisht 20 lekë për litër (me çmimet aktuale), vlerë që, bazuar në llogaritjet e Shoqatës së Hidrokarbureve, sërish do të ishte në kufijtë e kostove.
“Unë u gëzova kur qeveria ngriti një Bord, që do të bënte transparencë të çmimit, madje do të ishim dakord dhe për kufizime, nëse nga transparenca do të rezultonte që kishte abuzime. Por, kurrë nuk do të ma merrte mendja që pas 30 vjet ekonomi tregu, qeverisë i shkonte nëpër mend të caktonte çmime, madje pa marrë parasysh koston reale të mallit.
Këtë nuk e ka bërë kurrë as një ekonomi e centralizuar. Edhe në komunizëm çmimet caktoheshin duke marrë parasysh koston në çdo hallkë qarkullimi e duke i lënë një marzh neto fitimi çdo ndërmarrjeje të zinxhirit”, thotë Luigj Aliaj, nga Shoqata e Shoqërive të Hidrokarbureve.
Kontrolli i çmimeve nuk mund të jetë zgjidhje afatgjatë
Adi Haxhiymeri, drejtor i kompanisë së prodhimit të miellit “Bloja”, thotë për “Monitor” se një praktikë e tillë mund të jetë përkohësisht e pranueshme si mekanizëm, për të menaxhuar një situatë të jashtëzakonshme, por nuk mund të jetë kurrsesi një zgjidhje afatgjatë.
“Nuk ka ndonjë problem deri në pikën që vendoset një dialog mes shtetit dhe sektorit privat, për të menaxhuar një situatë shqetësuese dhe për të qetësuar disi tregun dhe konsumatorët. Nga biseda me përfaqësuesit e qeverisë është rënë dakord që në këtë situatë operohet me marzhe minimale fitimi në të gjitha hallkat, prodhim (aty ku ka), tregtim me shumicë dhe tregtim me pakicë.
Kjo nuk mund të jetë një zgjidhje afatgjatë dhe aq më pak e përhershme. Është një zgjidhje afatshkurtër për të zbutur panikun dhe pasigurinë që ka shkaktuar situata aktuale. Ne e kemi lënë që do të vijojmë takimet çdo javë për të ndjekur evolucionin e situatës” – thotë ai.
Sipas tij, situata e çmimeve në tregjet e importit ngelet e zymtë dhe e vështirë.
“Pas mbylljes së tregut të Rusisë dhe Ukrainës, ne po përpiqemi të gjejmë tregje alternative të sigurimit të produktit. Po përpiqemi të sigurojmë kontrata në tregje si Hungaria, Rumania apo ndoshta edhe Franca. Tregu serb nuk është zhbllokuar ende, por presim të zhbllokohet së shpejti.
Alternativat e tjera janë të pakta dhe të vështira. Një zgjidhje mund të jetë Kanadaja, por për shkak të distancës, kostot do të ishin shumë të larta. Për sa u takon çmimeve, tendencat janë të qarta, është e pritshme që rritja e tyre të vazhdojë. Aktualisht, gruri importohet mes rreth 530 USD për ton, nga rreth 220 USD që importohej pak më shumë se një vit më parë” – thotë z. Haxhiymeri.
Sipas tij, në situatën aktuale nuk është e imagjinueshme që të ketë rënie të çmimeve në afatin e shkurtër dhe të mesëm. Edhe sezoni i korrjeve të grurit nuk pritet të jetë shumë i mbarë. Veç faktorit luftë dhe pasigurisë, shtrenjtimi i plehrave kimikë është gjithashtu një element që do të ndikojë te çmimet e drithërave.
Javën e kaluar, tregtarët ranë dakord që çmimi i shitjes së miellit nga fabrikat të mos ishte më shumë se 78 lekë, por një rritje e shpejtë do të jetë e pashmangshme. Në kushtet kur gruri importohet me 530 USD për tonë në ngarkesat e reja, çmimi i miellit pritet të rritet së shpejti.
Në situatën aktuale, problem nuk është vetëm shtrenjtimi i lëndës së parë të produkteve ushqimore, por shtrenjtimi paralel i produkteve energjetike, që reflektohet direkt në kostot e prodhimit. Mes shtrenjtimit të energjisë elektrike, naftës dhe ambalazheve, prodhuesit shprehen se tendenca e çmimeve të miellit do të jetë në rritje të mëtejshme.
Haxhiymeri thotë se një reflektim i çmimeve të tregjeve ndërkombëtare në çmimet e shitjes në Shqipëri është i nevojshëm në vijimësi, sepse, përndryshe tregtarët nuk do të kishin më mjetet e nevojshme likuide për të përballuar furnizime të reja.
Kjo do të përkthehej në sasi më të vogla të produkteve të konsumit bazë dhe mungesë të tyre në tregun shqiptar. Për të adresuar këtë problem, qeveria shqiptare la të kuptohet se do të vendosë në dispozicion një skemë garancie. Mekanizimi i garancisë për prodhuesit, i ofruar nga qeveria shqiptare, nuk është detajuar ende.
Megjithatë, sipas diskutimeve të zhvilluara në takimin e parë, kjo skemë do të jetë e ngjashme e linjën e dytë të garancisë sovrane që u miratua në periudhën pas pandemisë. Qëllimi do të jetë garantimi i likuiditeteve të nevojshme për të financuar blerjet nga importi, në kushtet kur çmimet kanë shënuar rritje të ndjeshme.
Megjithatë, prodhuesit vënë në dukje se, pavarësisht garancisë sovrane, kjo formë është larg të qenët një mbështetje direkte. Sipas tyre, mekanizmi i vetëm i efektshëm për të zbutur rritjen e çmimeve në këtë situatë do të ishte ulja e taksave, por deri tani qeveria shqiptare e ka përjashtuar ndjekjen e një rruge të tillë.
Bordi i çmimeve do të vazhdojë për të paktën tre muaj
Drejtuesi i njërës prej kompanive më të rëndësishme të importit të vajit të lulediellit shprehet për “Monitor” se ndërhyrja e shtetit për të kontrolluar çmimet në treg nuk është asnjëherë një masë e dëshirueshme për sipërmarrjen.
Megjithatë, sipas tij, mekanizmi i bordeve konsultative është pranuar prej tyre, duke pasur parasysh situatën e jashtëzakonshme ku ndodhen tregjet e mallrave të konsumit dhe nevojën për partneritet, për të përballuar gjendjen e krijuar. Nga diskutimi me përfaqësues të qeverisë, është rënë dakord që ky mekanizëm të përdoret për një periudhë të paktën tremujore.
Nga Bordi është vendosur që vaji i lulediellit të tregtohet me një marzh prej 3% në nivel shumice dhe 2% në nivel pakice. Marzhi përcaktohet mbi çmimin e importit dhe nuk përfshin asnjë kosto tjetër të njohur. Kjo është arsyeja pse në nivel shumice është lejuar një marzh pak më i lartë.
Tregtarët shpjegojnë se çmimi mbi të cilin është llogaritur marzhi është bërë duke mesatarizuar çmimin e furnizimeve të fundit. Duke qenë se disa sasi vaji kanë qenë të porositura më parë, ato janë blerë me çmime më të lira. Kjo ka lejuar që disa kompani (por sipas tregtarëve, jo të gjitha) të mund të ruajnë një përfitueshmëri minimale, që me një marzh 3% do të kishte krejt i pamundur.
Në këmbim të mosndjekjes me rigorozitet të çmimeve të bursës në shitje, qeveria është angazhuar të mbështesë importuesit me garanci sovrane, për të krijuar flukse monetare që do të mundësojnë zëvendësimin e stoqeve aktuale, me sasi të reja, që do të blihen shumë më shtrenjtë.
Aktualisht, në tregjet ndërkombëtare, çmimi i importit të vajit të lulediellit ka arritur në 400 lekë për litër (përfshi TVSH-në). Një sasi vaji që do të kontraktohej në fund të marsit, do të hynte në treg me këtë çmim.
Duke shtuar marzhet e njohura të tregtimit prej 5%, mund të supozohet se një litër vaji, në një të ardhme të afërt, për shembull pas një muaji, mund të kushtojë rreth 420 lekë. Lufta në Ukrainë ka detyruar tregtarët të zhvendosin tregjet e furnizimit. Tashmë, importet e vajit kryhen kryesisht nga Bullgaria, Serbia apo Maqedonia e Veriut.
Në këmbim të kompromisit për të vepruar me marzhe të ulëta dhe të fiksuara, qeveria u ka premtuar tregtarëve të mëdhenj se do të ofrojë mbështetje nëpërmjet mekanizmit të garancive sovrane, me qëllim mundësimin e krijimit të rezervave. Kompanive iu është kërkuar një vlerësim për nevojat dhe kapacitetet dhe në varësi të tyre do të vijohet me detajimin e skemës.
“Çështja e krijimit të rezervave sot ka dy probleme të mëdha: mundësinë për të siguruar produktin dhe kapacitetet e ruajtjes dhe magazinimit.
Vaji është produkt ushqimor dhe kërkon kushte të caktuara të ruajtjes. Për momentin, kapacitetet e kompanive shqiptare në këtë drejtim janë të kufizuara, sepse tregu është i vogël dhe deri më sot, nuk kemi pasur një detyrim për mbajtjen e rezervave të caktuara. Krijimi i rezervave shtron këto probleme, por edhe atë të çmimit.
Nëse çmimet arrijnë nivele shumë të larta, konsumatori mund të mos e blejë më vajin dhe të tentojë të përdorë produkte zëvendësuese. Në këto kushte, krijimi i rezervave mund të krijojë një dëm ekonomik për kompaninë.
Një nga mënyrat e zgjidhjes së kësaj dileme është angazhimi i qeverisë për të blerë produktet që mund të ngelen stok. Paraprakisht, qeveria shqiptare e ka pranuar një angazhim të tillë” – shprehet administratori i njërës prej ndërmarrjeve kryesore të importit dhe tregtisë me shumicë të vajit të lulediellit.
Tregtarët shprehen se për momentin ka një rënie të ndjeshme të shitjeve, për shkak se konsumatorët kanë krijuar rezerva të vajit vegjetal, në momentin e parë të panikut nga kriza. Ata mendojnë se rezervat e krijuara nga shumë familje mund të jenë të mjaftueshme për muaj të tërë, ndaj kjo pritet të ndikojë te shitjet në këtë treg për të ardhmen e afërt.
Pritshmëritë për çmimet e produktit ngelen të zymta edhe në një horizont kohor afatmesëm. Tregtarët shpjegojnë se mbjellja e lulediellit realizohet në këtë periudhë të vitit. Për shkak të luftës, sasitë e mbjella në Ukrainë pritet të jenë minimale dhe ky do të jetë faktor i rëndësishëm, sepse Ukraina prodhon 44% të sasisë globale të lulediellit. Në kushtet e një rënieje të ofertës, çmimet do të vazhdojnë të jenë të larta edhe për sezonin e ardhshëm. /Monitor