Shqipëria ka mbledhur në një Konventë Ndërkombëtare të Turizmit 38 vende të botës për të diskutuar për sektorin. Një organizim që zhvillohet për herë të parë në një vend të Ballkanit dhe kjo jo e rastësishme. Mikpritësi kryeministri Edi Rama, duke iu referuar traditës së shqiptarit, i ftoi të pranishmit të ndihen zotër në shtëpinë tonë.
“Shtëpia e shqiptarit është e zotit dhe e mikut. Kështu shkruan kodi i shqiptarëve, i pari ligj i shkruar i këtij vendi 5 shekuj më parë. Dhe për sa kohë zoti na vjen në derë përmes atij që shfaqet në pragun e shtëpinë tonë, ky i fundit është zot shpie për aq kohë sa qëndron mes nesh.”, tha Rama.
Për ta njohur më mirë vendin tonë, Rama iu kërkoi që ta shohin Shqipërinë nga afër dhe të mos bazohen në atë se çfarë thuhet.
“Shijojini sa të mundeni dallimin e skajshëm mes stereotipit të Shqipërisë në mediat tuaja dhe perceptimit të vetë shqisave tuaja. Për vendin krejt tjetër ku keni ardhur sot. Ju siguroj që ky që shikoni është i vërtetë ndërsa vendi i krimit, mafias, drogës, plehrave, varfërisë ekstreme, hajdutëve dhe lypsave në çdo rrugë apo të pastrehëve është pjesërisht një vend të cilin ne e kemi lënë pas në të shkuarën.“, tha Rama.
I pranishëm në Konventë Zurab Polikashvill, Sekretar i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Turizmit tha se për të zhvilluar turizmin do të duhet bashkëpunim ndërsa theksoi se fokusi do të duhet të jetë angazhimi i të rinjve në këtë sektor.
“Bashkëpunimi është kyç për të zhvilluar turizmin, Shqipëria do të rritet në përmasa dhe ndikim. Pa njerëzit e duhur nuk mund të realizojmë planet tona, përparësi është edukimi, roli i të rinjve në turizëm, mbetemi të gatshëm të kontribuojmë për vitin Europian të aftësive, presim të punojmë me ju për turizmin”, tha Zurab Polikashvill.
Për zëvendës presidentin ekzekutiv të Komisionit Europian, Frans Timmermans Shqipëria ka shumë për të ofruar nga natyra dhe traditat e saj dhe kjo dhuratë duhet të përdoret në mënyrë të mençur.
“Shqipëria e ka këtë mundësi dhe inkurajoj autoritetet shqiptare t’i zhvillojnë. Keni shumë për të ofruar. Ndoshta nuk do jeni luksoze se ka vende që ndërtojnë industri luksoze, por mund të jeni vendi më i ndërgjegjshëm ndaj turizmit, mund të tërhiqni markë të re turistësh.”
Konventa Ndërkombëtare e Turizmit do të vijojë në Tiranë për tre ditë dhe 38 vendet do të jenë pjesë e një plartforme diskutimi, ku do të shërbejë si një mundësi promovimi i jashtëzakonshëm për Shqipërinë.