Detaje të reja kanë dalë në dritë nga ngjarja e ndodhur ditën e sotme në Korçë, ku është djegur një fugon.
Në videon e mëposhtme shfaqen kamerat e sigurisë që kanë regjistruar të gjithë skenën e zjarrvënies së mjetit tip furgon, në pronësi të shtetasit Renato Torollari.
Më herët policia ka raportuar se ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:00 të mëngjesit të sotëm në lagjen nr.17 të Korçës. Furgoni përdorej për transport udhëtarësh dhe i përket firmës “Morava 93”, ndërsa nga burime mësohet se zjarrvënia është e qëllimshme.
Nga pamjet e kamerave të sigurisë shihet se pranë furgonit që ishte parkuar në afërsi të banesës së Torollarit, një person i veshur me të zeza është afruar duke i vendosur zjarrin. Më pas ai shihet duke u larguar me një automjet ngjyrë gri.
Përsa i përket pronarit të mjetit, ai nuk deklaron të jetë përfshirë në ndonjë konflikt apo problem, por pretendon se zjarrvënia e qëllimshme mund të ketë ndodhur për shkak të konkurrencës.
Ndërkohë, policia ka sekuestruar kamerat e sigurisë dhe po punon për të identifikuar personin që shfaqet në video.