Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Korçë ku një 55 vjeçare e cila dhunohej nga bashkëshorti, prej 6 ditësh ka qëndruar me këmbë të thyer në banesë.
Sipas informacioneve mësohet se Diana Mulla, është shtyrë nga bashkëshorti i saj, Fatos Mulla, në shkallët e shtëpisë private, duke i shkaktuar thyerje të këmbës së djathtë.
Mësohet se ai e ka mbajtur në banesë deri ditën e djeshme, e më pas e ka çuar në spital, aty ku e dhunuara ka treguar për bluzat e bardha se bashkëshorti e ka shtyrë.
55 vjeçarja ka probleme shëndetësore, ku ka pësuar paralizë dhe vuan nga zemra, pra konsiderohet si person invalid. Ajo tregon se bashkëshorti e dhunonte prej kohësh, ndërsa nuk ka guxuar ta denoncoje për shkak të frikës.
Denoncimi u bë sot prej saj në uniformat blu, ndërsa bashkëshorti Fatos Mulla u shoqërua në komisariat për të dhënë deklaratën e tij dhe për tu përballur me veprën penale që do të përcaktohet nga prokurori i gatshëm.
Shkak për shtyrjen është një motiv banal, një gotë vaji siç thuhet nga ana e të dhunuarës. Përgjatë këtyre ditëve, bashkëshorti nuk e ka lejuar të kontaktojë më familjarët e saj ndërsa bëhet me dije se vajza e vetme e çiftit jeton prej vitesh në Itali.
Ndërkaq bluzat e bardha konfirmojnë se për shkak të gjendjes në të cilën ndodhet 55 vjeçarja, mund ta ketë të pamundur përdorimin e këmbës së djathtë.