Dy persona janë arrestuar në Korçë, pasi prisnin dru në mënyrë të paligjshme.
Shtetasit me iniciale M. F., 45 vjeç dhe K. Dh., 23 vjeç akuzohen , për veprën penale “Prerja e paligjshme e pyjeve”, kryer në bashkëpunim.
Uniformat blu kanë sekuestruar një automjet tip ‘Mistrubish’ dhe sasinë e druve të prerë.
Njoftimi i policisë:
Korçë/U kapën duke prerë dru në mënyrë të paligjshme, në zonë të mbrojtur, vihen në pranga 2 shtetas.
Sekuestrohet automjeti që do të transportonte sasinë e druve të prerë në mënyrë të paligjshme. Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e aktivitetit të paligjshëm të prerjes së pyjeve, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Korçë bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve:
– M. F., 45 vjeç (i dënuar më parë për veprën penale “Vjedhja”) dhe K. Dh., 23 vjeç, për veprën penale “Prerja e paligjshme e pyjeve”, kryer në bashkëpunim.
Shërbimet e Policisë kanë kapur në flagrancë shtetasit M. F. dhe K. Dh., në zonën e mbrojtur “Parku Kombëtar i Bozdovecit”, duke prerë dru në mënyrë të paligjshme. Gjatë kontrollit të zonës është gjetur një automjet tip “Mitsubishi”, i ngarkuar me një sasi drush. Automjeti, i cili ishte në përdorim nga 45-vjeçari, u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me sasinë e druve të prerë në mënyrë të paligjshme.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë, për veprime të mëtejshme.