Jetë paralele për dy ishujt e Jonit, Korfuzin dhe Lefkadën, të cilët po përballen me problemin më të madh që kërcënon mirëqenien e banorëve dhe rrjedhën e turizmit, uji. Faqja “corfupress” shkruan se kryeministri grek, Mitsotakis pavarësisht krizës së vitit të fundit me Shqipërinë i ka thënë “PO” perspektivës për të eksploruar mundësinë për të shtrirë tubacionin nga Syri i Kaltër në Shqipëri.
“Në Korfuz, informacionet bëjnë me dije se qarku ka vijuar tashmë kontaktet me zyrtarë të lartë të qeverisë ndërsa ka marrë “dritën jeshile” për nisjen e punës për të gjetur zgjidhjen e importit të ujit nga burimet në Syrin e Kaltër të Shqipërisë. Megjithatë, vlerësimet e aktorëve të Rajonit janë se duket më e realizueshme shfrytëzimi i burimeve ujore në Thesproti dhe veçanërisht në burimet që ndodhen përballë Korfuzit, në veri të Sajadës, duke pompuar dhe transportuar ujin.
Në fakt, mund të ketë bashkëpunim ndër-rajonal dhe ndërbashkiak me dhënien e përfitimeve kompensuese nga ana e Korfuzit për zonat nga ku do të merret uji. Informacionet tregojnë se Yannis Trepeklis ka qenë tashmë në kontakt me zyrtarë të Autoritetit Helen të Kërkimeve Gjeologjike dhe Minerare (ish-IGME) për të eksploruar mundësitë e të dyja zgjidhjeve, ndërsa nga këndvështrimi i qeverisë faktorët përkatës janë pozitivë për të kontribuar në financim” thuhet në shkrim. Për të marrë ujë nga Syri i Kaltër është në garë edhe Italia që ka bërë prej vitesh gati projektin.