Ditën e sotme u përcollën për në banesën e fundit 4 anëtarët e familjes Gushi, të cilët u shuan ditën e djeshme, pas një aksidenti tragjik në aksin Fier-Vlorë.
Viktimat ishin Eduart Gushi, 44 vjeç, gruaja e tij, Silvana Gushi dhe dy vajzat e tyre të mitura, Anastasia dhe Eva. Ceremonia e varrimit u mbajt në orën 10:00, ndërkohë që shumë familjarë të tyre kanë udhëtuar nga Greqia pas ngjarjes së rëndë.
Njëri prej banorëve të Patosit, i cili mori pjesë pjesë në ceremoninë e varrimit të familjes Gushi, është shprehur i pikëlluar për ngjarjen e rëndë. I moshuari ka treguar për mediat se e njihte shumë mirë këtë familje, që kishte emigruar drejt Greqisë për një jetë më të mirë, por fati i tyre u pre dje në mes në një aksident tragjik.
“Ishte një familje shumë e mirë. I kishte të tëra. Edhe unë kur e mora vesh mbrëmë qava. Unë që e njoh, më dhëmb shpirt, sidomos ne prindërve. U mbyll dera. I njihja shumë mirë. Ishin njerëz në hallet e veta. Kanë bërë këtë shtëpi, me kursimet. U prish një fole e madhe për mua dhe popullin e Patosit.”, tha i moshuari.
Në ceremoninë e varrimit morën pjesë familjarët e viktimave, ku shumica e tyre udhëtoi që dje nga Greqia drejt Patosit.
/Priza.al/