Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu deklaroi se pas ngritjes së aktakuzë për sulmin terrorist që ndodhi më 24 shtator 2023 në Banjskë të Zveçanit është jashtëzakonisht e rëndësishme që Serbisë t’i bëhet presion që t’i dorëzojë të akuzuarit në këtë rast, të cilët ajo i ka quajtur “kriminelët terroristë”.
Sipas saj këtë presin duhet ta ushtrojë faktori ndërkombëtarë. Ministrja ka theksuar se në vend të Kosovës, partnerët ndërkombëtarë është dashur ta dënojnë e sanksionojnë Serbinë për sulmin në Banjskë.
“Ajo çfarë e konsideroj që është e rëndësishme që Serbia të dorëzojë krye terroristin Rajodoçiq dhe po ashtu terroristët tjerë që kanë kryer sulmin terrorist në Banjskë.
Dhe që partnerët tanë ndërkombëtarë të bëjnë presion për të jo që të kërkohet nga Kosova që të dorëzojë prova Serbisë, sepse ju e dini që i vetmi autoritet të vetmet institucionet të cilat kanë përgjegjësinë për kompetencën për ta hetuar këtë rast dhe për ta gjykuar është Republika e Kosovës.
Prandaj është jashtëzakonisht e rëndësishme që të bëhet presion që t’i dorëzojë kriminelët, terroristët dhe në anën tjetër gjithçka çka varet nga ne do ta adresojmë në kohë reale”, ka theksuar Haxhiu.