Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Kosovës, Donika Gërvalla ka bërë të ditur se me kërkesë të kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka nxjerrë vendimin për shpalljen persona ‘non grata’ të një zyrtari rus të UNMIK-ut në Kosovë.
Gërvalla tha se për shkak të veprimtarisë, ky zyrtar e ka cenuar sigurinë kombëtare të Kosovës.
“Me kërkesë të Kryeministrit të Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, sot kam nxjerrë vendimin për shpalljen persona non grata të një zyrtari rus të UNMIK-ut në Kosovë për shkak të veprimtarisë së tij të dëmshme, e cila ka cenuar sigurinë kombëtare të Republikës së Kosovës. Njëkohësisht kam njoftuar institucionet ligjzbatuese dhe autoritetet përkatëse për zbatimin e këtij vendimi”, thuhet në postimin e Gërvallës.
Më tej Gërvalla shkruan se “Institucionet e Republikës së Kosovës mbeten të vendosura në betejën kundër ndikimit malinj të Federatës Ruse dhe përfaqësuesve e satelitëve të saj në rajon, të cilët synojnë të minojnë arritjet e Kosovës dhe të partnerëve tanë, e në radhë të parë të SHBA-ve, NATO-s dhe BE-së”.
“Republika e Kosovës do të vazhdojë të bashkëpunojë edhe më ngushtë me aleatët e saj ndërkombëtarë, e sidomos me ata amerikanë, evropianë dhe me NATO-n, për të penguar çdo përpjekje destabilizuese të Federatës Ruse në rajonin tonë. Përcaktimi dhe rruga e Republikës së Kosovës drejt anëtarësimit në NATO, BE dhe më pas edhe në OKB janë të pakthyeshme. Qytetarët e Republikës së Kosovës i sigurojmë se institucionet do të mbeten çdo ditë vigjilente dhe të vendosura në mbrojtje të sigurisë dhe rendit kushtetues të vendit tonë, sa herë që të jetë e nevojshme”, thuhet në postim.
Rreth dy muaj më parë, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka bërë të ditur se janë shpallur ‘non grata’ dy zyrtarë rusë.
Osmani në një postim në Facebook bën të ditur se kërkuar nga zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës, Donika Gërvalla-Schëarz, t‘i shpallë persona non grata dy zyrtarë të Zyrës Ndërlidhëse të Federatës Ruse në Kosovë.
MPJD-ja kishte nxjerrë vendimin për shpalljen e këtyre dy zyrtarëve rusë persona të padëshirueshëm dhe në të njëjtën kohën i ka njoftuar institucionet ligj zbatuese dhe autoritetet përkatëse për zbatimin e tij.