Në nderim të ish-Sekretares Amerikane, Madeleine Albright, e cila u nda nga jeta në moshën 84-vjeçare, sot do të jetë ditë zie në Kosovë.
Me vendim të Presidentes Vjosa Osmani, flamujt shtetëror do të ngrihen në gjysmështizë në të gjitha objektet shtetërore të Republikës së Kosovës, brenda dhe jashtë vendit.
“Në shenjë respekti shtetëror, dita e premte, datë 25 mars 2022, shpallet ditë zie në Republikën e Kosovës për të kujtuar miken e madhe të Kosovës, Madeleine Albright e cila u nda nga jeta dje. Zonja Albright e njohu dhimbjen e popullin tonë sepse edhe vet e kishte përjetuar persekutimin qysh në fëmijëri, prandaj qëndroi e vendosur kundër Millosheviqit deri në ndaljen e gjenocidit të tij në Kosovë. E përkrahi pareshtur Kosovën deri në frymën e fundit, prandaj populli i Kosovës do ta kujtojë përjetësisht”, është shprehur Presidentja Osmani.
Albright ishte gruaja e parë e zgjedhur në pozitën e Sekretares amerikane të Shtetit më 1997, duke shërbyer deri në vitin 2001.
Ajo udhëhoqi diplomacinë amerikane gjatë luftës në Kosovë, duke u konsideruar si një prej personave që ka shtyrë përpara vendimin që NATO të ndërhynte mbi caqet ushtarake e policore serbe – ndërhyrje kjo që çoi në çlirimin e Kosovës.
Për punën e saj për demokraci dhe të drejtat e njeriut, ajo është nderuar me Medaljen Presidenciale të Lirisë, që është çmimi më i lartë civil në SHBA.
Në nder të saj, si një falënderim për kontributin për çlirimin e Kosovës, më 2019, në përvjetorin e 20-të të hyrjes së trupave të NATO-s, u zbulua busti në Prishtinë.