Jo vetëm në Shqipëri qytetarët janë kundër vaksinimit me detyrim dhe vaksinimit në përgjithësi, por tashmë as në Kosovë nuk duan më të vaksinohen.
Sipas të dhënave të fundit nga ky shtet, në Kosovë ka rënë interesimi i qytetarëve për vaksinim. Megjithëkëtë autoritetet shëndetësore thonë se prej nisjes së fushatës së vaksinimit mbi 670 mijë persona janë vaksinuar plotësisht kundër korona virusit, derisa mbi 800 mijë persona kanë marrë dozën e parë. Numri total i të vaksinuarve deri tani ka arritur mbi 1 milion e 500 mijë, njofton RTK.
Faik Hoti, nga Ministria e Shëndetësisë, tha për Radio Kosovën se po synohet që deri në fund të dhjetorit, rreth 60 për qind e popullatës të imunizohen me vaksinën kundër COVID -19. Aktualisht, numri i rasteve aktive është rreth 500.
Ndërkohë Faik Hoti ka thënë për Radio Kosovën se deri kah mesi i muajit dhjetor, qytetarët e Prishtinës do të vaksinohen në Sallën “1 Tetori”, derisa komunat e tjera aty ku i kanë pasur pikat deri tani. Më pas do të shqyrtohet mundësia e bartjes së këtij procesi në qendra të mjekësisë familjare.
“Është duke u përditësuar plani i vaksinimit, ashtu që pas 15 dhjetorit të bëhet tranzicioni i qendrave të vaksinimit nga hapësirat aktuale, në QKMF apo lokacionet ku komunat e vlerësojnë më të përshtatshme”,- tha ai.
Në Kosovë janë administruar vaksinat Pfizer dhe AstraZeneca. Ndërkaq të drejtë vaksinimi kanë pasur të gjithë qytetarët mbi moshën 16 vjeç, si dhe ata të moshës 12-16 që kanë sëmundje kronike.
Ndërkohë Kompania “Pfizer” ka kërkuar autorizim për përdorim urgjent të vaksinës kundër COVID-19 te fëmijët e moshës 5 deri 11 vjeç.
Infektologu Ilir Tolaj ka thënë për Radio Kosovën se për t’ju shmangur ndonjë vale të re, duhet që edhe fëmijët të vaksinohen. Ai tha se tani për tani jemi në një situatë të lakmueshme për sa i përket vaksinimit dhe situatës epidemiologjike.
“Duhet të vazhdojë vaksinimi por duke përfshirë edhe grupmoshat prej 7 deri në 12, e jo nga 12 deri në 16 siç është tash , dhe jo të gjithë fëmijët e kësaj moshe. Në qoftë se vazhdon me këtë intensitet atëherë jemi në pozitë të lakmuar”,- tha ai.
Ndërkaq Faik Hoti ka thënë se, variant Delta-plus mund ta rrezikojë sërish botën andaj vaksinimi është mbrojtja më e mirë.
/Prizqa.al/