Qeveria e Kosovës ka shpallur 14 prillin Ditë memoriale për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit. Në mbledhjen e ekzekutivit të mbajtur më 12 prill, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se ky vendim është marrë në bashkërendim me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.
Ai tha se shpallja e kësaj dite bëhet për të “njohur dhimbjen dhe vuajtjen e grave e vajzave, por edhe të burrave e djemve të mbijetuar të dhunës seksuale gjatë luftës” së fundit në Kosovë më 1998-99. Pavarësisht se nuk ka numër të saktë, sipas të dhënave të prezantuara nga institucionet në Kosovë, gjatë luftës së fundit janë rreth 20.000 raste të dhunimeve seksuale nga pjesëtarët e forcave serbe.
Që nga viti 2014, kur është miratuar legjislacioni, të mbijetuarit e dhunës seksuale në Kosovë mund të marrin statusin e viktimës së dhunës seksuale dhe të përfitojnë një pension prej 230 eurosh. Aplikimin ata e bëjnë përmes disa organizatave të përzgjedhura nga Qeveria e Kosovës. Por, ata duhet të kalojnë përmes disa procedurave për njohjen dhe verifikimin e statusit të tyre.
Për aplikim, viktima duhet të plotësojë një formular me të dhëna e detaje për vendin dhe periudhën kur ka ndodhur dhunimi, me deklarata nga dëshmitarët dhe me raporte eventuale mjekësore. Këto të dhëna paraqiten para një komisioni qeveritar, dhe nëse ky komisioni nuk bindet, viktima duhet të dalë fizikisht para tij. Deri më tani, mbi 1.000 personave u është njohur statusi i viktimës së dhunës seksuale gjatë luftës./REL