24 vjet më parë (28 mars 1999) në Kosovë, përkatësisht në fshatin Izbicë të Skenderajt, ndodhi një ndër masakrat më të mëdha të kryera nga forcat serbe gjatë luftës. Forca të shumta ushtarake e policore të Serbisë, pas rrethimit të fshatit, ekzekutuan duke i masakruar 147 persona. Në këtë ndërmarrje kriminale, nuk u kursyen as të rinjtë e as të moshuarit e fshatit.
Pas masakrës, forcat serbe u munduan ta fshehin e mohojnë krimin e bërë ndaj qindra civilëve. Në kuadër të planit për ‘zhdukjen’ e gjurmëve të krimit, të masakruarit u zhvarrosën e më pastaj u varrosën në lokacione të ndryshme në Kosovë e Serbi.
Megjithatë përpjekja ishte e dështuar pasi që NATO-ja përmes satelitëve të tyre nxori në sipërfaqe të vërtetën e ngjarjes duke ofruar fotografi të varrezave masive në Izbicë.
Pas ta bërë publike krimin, NATO me dëshmitë e siguruara kishte organizuar një konferencë për njoftuar botën për ngjarjen e rëndë që ndodhi në Kosovën e vitit 1999.
E kur autoritetet serbe u përballën me të vërtetën e masakrës, ndërmorën ‘vrasjen e dytë’ të të masakruarve në Izbicë.
Të alarmuar, institucionet e Serbisë tentuan të kamuflonin masakrën e ndodhur duke i varrosur në lokacione të ndryshme të vrarët. Disa prej tyre, vite më vonë u gjetën në varrezën masive në Petrovo-Sello në Serbi për t’u varrosur përsëri në Kosovë.
Për fat të së vërtetës e si dokumentim i historisë së trishtë, një banor i fshatit Izbicë filmoi kufomat e civilëve të vrarë.
Madje, xhirimet e Liri Loshi u përdorën si dëshmi në Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë në proceset kundër Sllobodan Millosheviçit dhe në procesin kundër liderëve të Serbisë.