Misioni disa ditor i ndërmjetësit evropian për dialogun fillimisht në Prishtinë dhe orët e fundit në Beograd ka dështuar.
Hezitimi i Albin Kurtit për të themeluar bashkësinë e komunave serbe me kompetenca ekzekutive nuk i ka dhënë shumë dorë Lajçak për të bindur palën serbe për lëshime të tjera në kuadër të planit franko-gjerman. Në këtë situatë aspak entuziuaste për takimin e paralajmëruar mes palëve të Shtunën në Ohër ka ndërhyrë diplomacia amerikane duke dërguar në Beograd ndrmjetësin Gabriel Escobar.
Vuçiç dhe Escobar do të takohen pasditen e së Mërkurës në orën 15 në seline e Presidencës serbe.
Lajçak i tha Radio Televizionit Serb se nëse nuk ka reflektim nga pala kosovare për themelimin e bashkësisë së komunave serbe nuk ka marrëveshje finale.
Duke qetësuar presidentin Vuçiç, Lajçak tha se nëse serbët e shikojnë me kujdes propozimin e BE-së, aty flitet për normalizim, dhe jo për një lloj kapitullimi.
Qëllimi, tha Lajçak, nuk është që dikush të fitojë apo të humbasë por të krijohet një situatë të favorshme dhe të hapet dera evropiane per te dyja shtetet. Pala kosovare nderkohe po studion 15 modele evropiane mbi bazën e të cilava mund të funksionojë bashkësia e komunave serbe shumë larg pretendimeve të Vuçiç sepse aty flitet vetëm për të drejta pakicash dhe komuniteteve jo shumicë.