Kosovë/ Energjia elektrike rritet me 15.4%

Energjia elektrike në Kosovë është shtrenjtuar për 15.4 për qind. Kështu vendosi më 30 mars Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji.

Kryesuesi i këtij bordi, Ymer Fejzullahu, tha se rritja ka ndodhur për shkak se mundëson furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike.

“Ne konsiderojmë se nëse nuk kemi furnizim të qëndrueshëm me energji, kostoja do të jetë shumëfish më e madhe sesa përqindja e propozuar. Ky është minimumi për të pasur 24 orë energji elektrike”, tha ai.

Tarifat e reja të rrymës do të hyjnë në fuqi nga 1 prilli.

 

 

Sipas tarifave të reja, zyrtarët e ZRRE-së thanë se për konsumatorët që kanë konsum shtëpiak deri në 300 kilovat në orë, nëse proporcioni i konsumit është 60 [tarifa e lartë] me 40 [tarifa e ulët], fatura mujore do të ketë rritje prej 2 euro e 80 centë.

Për ata që kanë konsum deri në 450 kilovat në orë, fatura mujore do të ketë rritje prej 4 euro e 18 centë.

Për konsumatorët që kanë konsum deri në 600 kilovat në orë, rritja e faturës mujore do të jetë 5 euro. Dhe për konsumatorët deri në 800 kilovat, ku 80 për qind e konsumatorëve janë pjesë e kësaj kategorie, rritja mujore do të jetë rreth 7 euro e 23 centë.
Kosova ka kapacitet të prodhojë rreth 800 megavat rrymë në orë, ndërsa nevojat e saj, në ditë dimri, arrijnë deri në 1.300 megavat në orë. Këtë diferencë, ajo e importon nga jashtë.

Kosova importon rrymë sipas çmimit të energjisë elektrike në bursën hungareze HUPX.

Në gushtin e vitit 2021, çmimi ishte 150 euro për megavat.

Në muajin gusht të vitit 2022, çmimi arriti në rreth 430 euro për megavat, por më vonë u stabilizua në rreth 260 euro. Më 30 mars të vitit 2023, çmimi për megavat në bursën HUPX ishte 113 euro./ REL

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *