Kreu i Parlamentit të Kosovës, Glauk Konjufca ka ritheksuar se statuti i krijimit të Asociacionit, duhet të jetë brenda kornizës që e lejon Kushtetuta e vendit. Ai tha se nëse Bashkimi Europian nuk mendon se zgjidhja dhe dialogu me Serbinë duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën atëherë nuk mund të ketë një të tillë.
“Pikënisja duhet të jetë brenda Kushtetutës së Republikës së Kosovës, mendoj që nëse faktorët e rëndësishëm ndërkombëtarë, nëse BE-ja nuk mendon që zgjidhja duhet të jetë brenda Kushtetutës së Kosovës, mendoj që Kosova nuk ka çka të kërkoj në atë dialog më. Kurrfarë interesi nuk ka Kosova më, çka kemi ne interes ta shkatërrojmë kushtetutshmërinë tonë, ajo shkon në dëm tonin nëse shkon ashtu” – tha Konjufca.
Ai tha se baza për negociatat mes dy vendeve nuk mund të mbështetet në pozicione antikushtetuese duke shtuar se procesi i dialogut për normalizimin e marrëdhënieve vjen me qëllimin për të shkuar drejt njohjes së ndërsjelltë dhe jo për të shkatërruar shtetin e Kosovës.
Në 2 Maj, Vuçiç dhe Kurti u takuan në Bruksel ku miratuan deklaratën për të Zhdukurit gjatë luftës. Ndërsa për Asociacionin dy liderët u shprehën se nuk kishte dakordësi.