Ministri i Administrimit të Pushtetit lokal, Elbert Krasniqi, ka njoftuar se ka shkarkuar nga detyra Ekipin Menaxhues për hartimin e draftstatutit për Asociacionin e Komunave më shumicë serbe në Kosovë. Ai theksoi se pas prezantimit të drtaftstatutit në takimin e së martës në Bruksel, ky ekip tashmë është pa status.
“Pas prezantimit të djeshëm në Bruksel të draftstatusit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, sipas përgjegjësive që i ishin dhënë Ekipit Menaxhues në marrëveshjet e Brukselit të vitit 2013 dhe 2015, ky ekip tash edhe vet është pa status”, ka shkruar Krasniqi në “Facebook”.
“Andaj, sot me datë 03 maj 2023, kam marr vendim për lirimin nga detyra të anëtarëve të këtij ekipi menaxhues, në përbërje të Danijela Vujiqiq, Jelena Bolovic, Igor Kalamar dhe Dejan Radojkoviç”, ka shkruar Krasniqi.
Vendimi i parë për themelimin e këtij Ekipi ishte marrë në qershor të vitit 2013, në kohën kur Qeveria drejtohej nga Hashim Thaçi. Vendimi i dytë ishte marrë në qershorin e 2016-s, gjatë qeverisjes nga Isa Mustafa, kurse i treti në shtator të 2020-s, gjatë Qeverisë së Avdullah Hotit.
Nga përbërja fillestare vetëm dy anëtarë kanë mbetur të pandryshuar Igor Kalamar dhe Dejan Radojkovië. Dy të tjerët janë ndryshuar vazhdimisht, teksa Danijela Vujiçiç u bë anëtarja më e re dhe ishte emëruar edhe koordinatore e Ekipit Menaxhues.