Një ngjarje tragjike ka nodhur ditën e sotme në botën e sportit në Kosovë. Bëhet fjalë për ndarjen nga jeta të futbollistit 15-vjeçar, Leonit Syla, i cili aktivizohej te moshat e reja të klubit “2 Korriku”.
Lajmin e kanë bërë të ditur vetë drejtuesit e klubit, të cilët me një letër publike shprehën ngushëllimet për ndarjen nga jeta të adoleshentit.
Mesazhi i ngushëllimit nga FC 2 Korriku:
Me pikëllim të madh morëm lajmin e kobshëm për ndarjen nga jeta të më të dashurit tuaj e ish-futbollistit të shkollës tonë të futbollit, Leonit.
Fjalët e duhura është e vështirë për t’u gjetur tani, sepse largimi kaq i hershëm nga jeta i një fëmiu siç ishte Leoni, më moshën 15-vjeçare, është i rëndë për t’i bërë ballë, por ju lusim që t’i pranoni ngushëllimet tona të sinqerta për djaloshin e artë që sot shkoi në amshim.
Leoni ishte luftarak në fushën e futbollit e po ashtu edhe jashtë saj, sepse luftoi fortë më sëmundjen e rëndë që e kishte, por si një djal trim e i patrembur me luftën e mosdorëzimin e tij ka treguar se sa shumë e donte jetën e futbollin.
Leoni vet si djalë i fortë që ishte, do të mbetet shembull i vërtetë për çdo shok e shoqe të rrethit të tij dhe jo vetëm; Leonin do ta kujtojmë me mall tërë jetën.
Këto momente janë jashtëzakonisht të rënda; të gjithë jemi me lotë në sy e dhimbje në zemër, por bashkë më Ju do të jemi përherë e nderuara familje e të ndjerit, të cilin do ta kujtojmë përherë me të gjitha ato kujtime të bukura e shpresëdhënëse që i ka lën pas vetes.
Me zemër të thyer, edhe një herë të nderuar familjarë e të afërm të Leonit, na lejoni që t’i shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta e për të ndjerin të iu themi, dheu i Kosovës qoftë i lehtë për të.
Me shumë respekt, FC 2 Korriku.