Në Kuvendin e Kosovës ka nisur seanca e jashtëzakonshme për zgjedhjen e presidentit, ku kandidatë janë Vjosa Osmani dhe Nasuf Bejta. Në sallë janë të pranishëm 84 deputetë, të cilët po votojnë në raundin e parë për presidentin. Kjo është hera e tretë që ky raund votimesh po përsëritet, pasi dy herë nuk kishte kuorum prej 80 deputetësh.
Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe ata të Lidhjes Demokratike të Kosovës ndodhen në sallë.
Sipas Kushtetutës, në rrethin e parë të votimit duhet që të paktën 80 deputetë të marrin pjesë në votim, në të kundërtën votimi përsëritet.
I njëjti rregull për pjesëmarrjen e 80 deputetëve vlen edhe për raundin e dytë të votimit.