Infermierët dhe mjeku përgjegjës në Qendrën Kryesore Familjare në Deçan (QKMF), janë përballur me një pacient i cili posedonte brisk dhe marihuanë me vete dhe për një moment u bë agresiv pasi nuk bindej që të mjekohej dhe as nuk largohej nga QKMF-ja.
Pacienti nga komuna e Deçanit kishte shkuar për të kërkuar ndihmë mjekësore, me ankesën dhimbje barku.
Pacienti për një orë qëndroi në hapësirat e QKMF-së por duke refuzuar të merrte terapinë, dhe më pas u bë agresiv duke bërtitur dhe duke nxjerrë edhe briskun.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti pasi kishte shkuar për të kërkuar ndihmë mjekësore në QKMF në Deçan, sipas informatave nga personeli mjekësor, i njëjti kishte paraqitje agresive. Njësitet policore gjatë kontrollit tek i njëjti kanë gjetur e konfiskuar 5.4 gramë substancë narkotike e llojit marihuanë dhe një brisk. Në konsultim me prokurorin, i dyshuari pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftimin e Policisë.