Ushtruesi i detyrës së presidentit të Kosovës, Glauk Konjufca, i ka kërkuar Lëvizjes Vetëvendosje që të propozojë kandidatin për kryeministrin e ardhshëm të Kosovës. Pas zgjedhjes në krye të kuvendit, Konjufca mori edhe zyrtarisht postin e ushtruesit të detyrës së presidentit. Me të gjitha gjasat, sot Kosova do të njihet me qeverinë e re, teksa pritet që Albin Kurti të jetë i propozuari për kryeministër. Duke iu referuar Kushtetutës, presidenti i Kosovës i propozon kuvendit kandidatin për kryeministër, i cili jo më vonë se 15 ditë pas emërimit, paraqet përbërjen e qeverisë para kuvendit për votim.
“Në njoftim thuhet se u.d. Presidenti i Kosovës, Glauk Konjufca, duke u mbështetur në nenet 84 (14) dhe 95 (1) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, nëpërmjet një letre drejtuar kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, z.Albin Kurti ka kërkuar që ky subjekt fitues i zgjedhjeve të 14 shkurtit ta propozoj mandatarin për Kryeministër.
Në letër, u.d. Presidenti Konjufca, duke iu referuar dispozitave kushtetuese dhe njoftimit të KQZ-së për certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve të 14 shkurtit, ka theksuar se Lëvizja Vetëvendosje ka fituar shumicën e nevojshme në Kuvend për ta krijuar Qeverinë e re.