Kosovë/ Protesta kundër marrëveshjes me Serbinë

Partia Socialdemokrate (PSD) ka protestuar kundër Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, që liderët e dy shteteve arritën nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Kreu i kësaj partie, Dardan Molliqaj, tha se kjo marrëveshje paraqet “një faqe të keqe”, teksa akuzoi Qeverinë e kryeministrit Albin Kurti, se është dorëzuar për të krijuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe, që sipas tij, do t’i jap autonomi komunitetit serb në Kosovë.

“Askush në Kosovë nuk beson se duhet të krijohet entitet politik, paralel e etnik. Andaj, besojmë se duhet të vazhdojmë përpjekjet tona për të ndalur Qeverinë, e cila është e qartë se u dorëzua para nevojës për të mbajtur pushtet”, tha Molliqaj, në protestën para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës.

Më 27 shkurt në Bruksel, Kosova dhe Serbia u pajtuan për Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve mes shteteve, apo siç njihet ndryshe edhe si propozimi evropian. Më 18 mars, palët u pajtuan në Ohër për aneksin e zbatimit të kësaj marrëveshjeje.

Në tekstin e marrëveshjes, neni 7 përmend sigurimin e një “niveli të përshtatshëm të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë”, që sipas Molliqajt nënkupton themelimin e Asociacionit.

Kryeministri Kurti edhe në kohën kur ka qenë në opozitë e ka kundërshtuar themelimin e Asociacionit, që ai e ka quajtur ‘Zajednica’, duke argumentuar se rrezikon që në Kosovë të krijohet një Republika Sërpska, sikurse në Bosnjë e Hercegovinë.

Megjithatë, Kurti ka thënë se fjala vetëmenaxhim nuk mund të barazohet me Asociacion.

“Tani që ka vendosur ta themelojë Asociacionin, nuk po e quan më as ‘Zajednicë’, as Asociacion, por po pretendon ta quajë vetëmenaxhim. Nuk ka emër që e zëvendëson atë që po i ndodh Kosovës. Ajo që po i ndodh Kosovës është e qartë: është autonomi territoriale, etnike për komunitetin serb në Kosovë. Dhe po ashtu, zona të veçanta me karakter ekstraterritorial përreth kishave dhe manastireve ortodokse”, tha Molliqaj.

Në protestën e organizuar të shtunën nga PSD-ja, që nuk është parti e përfaqësuar në Kuvendin e Kosovës, morën pjesë dhjetëra persona. Protestuesit zëvendësuan flamujt e Kosovës, të vendosur te ndërtesa e Qeverisë, me flamuj të bardhë, për të simbolizuar “dorëzimin” me pranimin e Marrëveshjes së Ohrit. Po ashtu, PDS lëshoi tym të zi drejt ndërtesës së Qeverisë, për të treguar, siç tha, “zymtësinë” që ka sjellë Qeveria Kurti.

Kosova dhe Serbia më 18 mars, në Ohër të Maqedonisë së Veriut arritën pajtim për Aneksin e zbatimit të Marrëveshjes drejt normalizimit.

Palët nuk e nënshkruan marrëveshjen, por BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara kanë thënë se pavarësisht se nuk është nënshkruar, ajo është marrëveshje e obligueshme për palët.

Marrëveshja, prej 11 nenesh, nuk përmend në mënyrë specifike njohjen e ndërsjellë. Megjithatë, dokumenti kërkon nga të dyja vendet që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat./REL

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *