Studentët e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe qytetarë kanë organizuar një marsh në Prishtinë kundër themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Me slogane si “Asociacioni nuk kalon”, “S’pranoj Asociacion që na bosnjëzon”, “Bashkë kundër Asociacionit”, “Kosova Republikë, s’ka Zajednicë [Asociacion]” dhe të ngjashme, studentët, nën organizimin e Parlamentit të Studentëve të UP-së, nisën marshin e tyre nga Biblioteka Kombëtare dhe u ndalën para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës.
Organizatorët e këtij marshi argumentuan se themelimi i asociacioneve njëetnike në vendet e rajonit ka krijuar “shtet brenda shtetit”. Ata thanë se një asociacion i tillë nuk do të avanconte të drejtat e komunitetit serb në Kosovë, por “do t’i instrumentalizonte” serbët që jetojnë në Kosovë.
“Ne nuk pranojmë Asociacionin e komunave me shumicë serbe që cenon drejtpërdrejtë paqen, sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit”, tha njëra prej studenteve.
Ndërkaq, një përfaqësues i Shoqatës së familjarëve të heronjve dhe dëshmorëve të kombit, tha se Serbia, përmes Asociacionit, synon të destabilizojë Kosovën.
“Synimi i Serbisë është që një herë të themelohet Asociacioni për të arritur më lehtë deri te ndarja e veriut të Kosovës”, tha ai.
Kosova dhe Serbia kanë arritur dy marrëveshje – në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian – për themelimin e Asociacionit.
Çfarë parasheh Asociacioni?
Asociacioni i komunave me shumicë serbe parashikohet që të mbledhë rreth vetes dhjetë komuna në Kosovë të banuara me shumicë serbe: Mitrovicë e Veriut, Kllokot, Partesh, Ranillug, Graçanicë, Zveçan, Zubin Potok, Novobërdë, Leposaviq dhe Shtërpcë.
Sipas marrëveshjeve, Asociacioni ka për qëllim të përfaqësojë interesat kolektive të këtyre komunave, veçmas në fushën e arsimit, shëndetësisë, planifikimit urban dhe rural si dhe të ekonomisë.
Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti, e kundërshton formimin e një asociacioni njëetnik. Megjithatë, së fundmi, Kurti ka paraqitur gjashtë kushte për themelimin e Asociacionit, që sipas tij, do të mundësonte që një organ i tillë të formohej duke respektuar Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.
Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdimisht kërkojnë nga Kosova që të themelojë Asociacionin. Serbia kërkon që Asociacioni të ketë kompetenca ekzekutive, që kundërshtohet nga Kosova./REL