Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla ka thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se autoritetet vendase do të kërkojnë nga Serbia ekstradimin “të gjithë atyre që morën pjesë në planifikimin dhe zbatimin e aksionit terrorist” në Banjskë të Zveçanit të dielën e kaluar.
Ndonëse përgjegjësinë për organizimin e sulmit e ka marrë ish nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiç, ministri theksoi se ai nuk ka vepruar i vetëm por me mbështetjen e presidentit Aleksandër Vuçiç. Ai pohoi se hetimet kanë treguar se në sulm kanë marrë pjesë më shumë se 80 terroristë.
“Të gjitha faktet tregojnë se Millan Radoiçiç nuk ka vepruar kokë më vete, nuk ka punuar vetë. Ai ka qenë në vazhdimësi i mbështetur nga [presidenti i Serbisë] Aleksandar Vuçiç, nga Qeveria e Serbisë dhe nga të gjitha instrumentet që ai shtet ka. Ne e dimë shumë mirë se ai ka qenë jashtëzakonisht i afërt me Aleksandar Vuçiçin, i cili ka qenë ministër i propagandës në kohën e qeverisjes së Millosheviçit. Ai, edhe pse është president i Serbisë, vazhdon të jetë ministër i propagandës.
Tendenca e tyre tash është që ta minimizojnë presionin ndaj Serbisë, duke dashur që ta lokalizojnë fajtorin. Fajtori dihet, ai është Aleksandar Vuçiç dhe idetë e tij ekstremiste në raport me gjithë rajonin, jo vetëm me Kosovën. Sasia dhe llojet e armatimeve që janë zënë më 24 shtator në Banjskë është e pamundur të mblidhen nga një individ, edhe nëse ai është jashtëzakonisht i fuqishëm, siç është Millan Radoiçiç. Ka armatim ushtarak, ka armatim të vitit të prodhimit më 2021, 2022 – gjë që tregon se nuk janë mbetje të luftës së viteve 1998/99, apo edhe më herët në Ballkan, por janë armatime të dala drejtpërdrejt nga magazinat e ushtrisë së Serbisë. Këtë e kemi dëshmuar, duke prezantuar dokumente, të cilat i kemi zënë, ku bëhet pranim-dorëzimi i këtij armatimi.
Po ashtu, nuk është rast i izoluar, meqenëse armatime të ngjashme, me seri prodhimi të përafërta, ne kemi zënë edhe më herët në Zveçan, më 23 qershor, pastaj edhe më 7 gusht dhe më 5 shtator – qoftë në Zveçan, qoftë në Mitrovicë të Veriut. Do të thotë, ka qenë një plan i mirorganizuar, detajisht i përpunuar, i cili iu ka dështuar falë vendosmërisë, gatishmërisë për sakrificë dhe profesionalizmit të policisë së Kosovës. Por, plani ka qenë shumë më i madh. Vuçiçi është i përfshirë. Është edhe Qeveria e Serbisë e përfshirë. Siç duket, edhe vetë Rusia është e përfshirë në këtë skenar.”, ka thënë ministri.