Ditën e sotme Presidenti Ilir Meta ka zhvilluar në ambientet e presidencës një takim me eurodeputeten Isabel Santos, Raportuesja e Përhershme për Shqipërinë.
Maria Isabel Coelho Santos është një politikane portugeze e Partisë Socialiste e cila është deputete e Parlamentit Evropian që nga zgjedhjet e vitit 2019. Që kur u bë anëtare e PE-së, Santos ka shërbyer në Komitetin për Punët e Jashtme dhe në Nënkomitetin për të Drejtat e Njeriut. Ajo është gjithashtu anëtare e Grupit për Mbështetjen e Demokracisë dhe Koordinimit të Zgjedhjeve (DEG), i cili mbikëqyr misionet e vëzhgimit të zgjedhjeve të Parlamentit.
Në takim u diskutua për liberalizmin e vizave për Kosovën, por edhe situata e tensionuar në Bosnje, ku BE duket t’i kushtojë një rëndësi të veçantë. Pjesë e diskutimit ishte dhe integrimi i Shqipërisë, dhe fokusimi në luftën ndaj krimit dhe korrupsionit.
“Vlerësova angazhimin e saj dhe të Parlamentit Europian në mbështetje të nisjes së negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë. Ramë dakord se krimi i organizuar dhe emigracioni përbëjnë shqetësim serioz, që duhet trajtuar me përparësi”, shkruan Kreu i Shtetit.
Po ashtu, Presidenti ka kërkuar nga eurodeputetja që të bëhet sa më parë liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës, me qëllim që ky proces të përfundojë për rajonin tonë.
“Dita e sotme shënon 11-vjetorin e vendimit të Këshillit Europian për liberalizmin e vizave me Shqipërinë. Është e domosdoshme, që ky proces të përmbyllet me rajonin tonë, duke liberalizuar sa më parë vizat edhe me Kosovën, të vetmit vend që nuk i është mundësuar ende kjo e drejtë edhe pas plotësimit të të gjitha kushteve”, thotë Meta.
Më tej Presidenti ka theksuar “rëndësinë e bashkëpunimit rajonal, duke u ndalur edhe në situatën shqetësuese të krijuar në Bosnje-Hercegovinë, së cilës Bashkimi Europian duhet t’i kushtojë vëmendjen e duhur pa humbur kohë”.
/Priza.al/