Nga Marina Kërçeli
Protesta e pedagogëve është kthyer tashmë një ‘temë e nxehtë’, pasi këta të fundit kanë parashtruar kërkesat e tyre ndaj qeverisë nga rritja e pagës deri tek rishikimi i tatimit mbi pagesë.
Ditën e djeshme, pedagogët paralajmëruan grevë urie nëse presidenti u siguron jetën, pasi qeveria nuk po i përgjigjet kërkesës së tyre.
Një një prononcim për Priza.al, kreu i Sindikatës Sandër Kovaçi tha se pedagogët nuk janë tërhequr nga vendimi për grevën por po shihet për alternativa të tjera rreth bojkotit.
Sakaq theksoi se bojkoti i mësimit do vazhdojë dhe ditën e nesërme do të ketë një vendim përfundimtar.
“Është opsion i hapur. Nuk jemi tërhequr, bojkoti do vazhdojë. Nesër do marrim vendimin për bojkot dhe grevën e urisë. Kemi alternativa për të gjetur hapësirë për të protestuar. Përgjigje përfundimtare do e kemi nesër pas mbledhjes. Mbledhja do bëhet mes kryetarëve të sindikatës dhe një grup pedagogësh”, tha ai.
Priza.al risjell dhe njëherë në vëmendjen disa nga kërkesat e pedagogëve:
- Rritja e pagave për pedagogët dhe stafin ndihmës
- Rritja e financimit për kërkimin shkencor
- Rivendosja e shtesave mbi pagë për ‘Dëshmëri shëndeti në punë’
- Rritja e shtesës mbi pagën për vjetërsinë në punë
- Rritja e pagesës së orëve të ngarkesës suplementare
- Rivlerësimi i orës mësimore pasi ka zbritje prej 50% të pagesës së orës mësimore si rezultat i mosfierencimit të orës mësimore të leksionit.
- Rishikimin e tatimit prej 23% mbi pagesën e ngarkesës suplementare
- Të pezullohet deri më 2026 zbatimi i pikës c) të paragrafit të 3, i Kreut III të VKM Nr.112, datë 23.2.2018 për kriteret e marrjes së titullit “Profesor”.
- Të bëhet transparencë mbi buxhetin dhe të ardhurat e universitetet publike.
Kujtojmë se pedagogët kanë protestuar çdo ditë që më 17 tetor duke braktisur auditorët e fakulteteve për t’iu drejtuar qeverisë që të plotësohen kërkesat për të marrë fund bojkoti dhe të rinisë mësimdhënia./Priza.al