KPA kërkon për pasurinë e gjyqtares Rilinda Selimi, kur nuk gjen asgjë “gërmon” tek miqtë dhe mikeshat e burrit! Reagon Manjani: Shkarkimi mbi bazën e një supozimi, skandal

Gjyqtarja Rilinda Selimi  u  shkarkua ditën e sotme nga KPA mbi bazën e një supozimi. Sipas organit të drejtësisë  Selimi u largua nga sistemi i drejtësisë meqë bashkëshorti i saj, edhe ai magjistrat, u shkarkua se paska patur një kontakt të papërshtatshëm,  për pasojë në këtë zinxhir u shkarkua edhe bashkëshortja.

Sakaq skandali me preferencat thellohet kur drejtësia nis të emëroj dhe shkarkoj sipas oreksit.  Sakaq të papërshtatshmëve u lëshojnë certifikata të NATO-s si në rastin e motrës së Nuredin Dumanit.

Gjyqtarja Rilinda Selimi rezulton se ka dhënë  496 vendime për çështje themeli në këtë gjykatë vetëm gjatë vitit 2017, teksa kariera  e saj është disa vjeçare. Nga analiza e këtyre të dhënave  rezulton se Gjyqtarja Rilinda Selimi ka vendimuar rreth 8.9% te totalit të çështjeve të themelit në vitin 2017.  Gjyqtarja Rilinda Selimi ka vendimuar gjatë vitit 2017 me një frekuencë prej 41.3 çështje gjyqësore në muaj mesatarisht1 (dosje të relatuara prej saj).  Frekuenca e Gjykatës Administrative të Apelit  për vendimet e çështjeve të themelit në 2017-ën rezulton të jetë rreth 462.1 çështje në muaj. Ngarkesa shpërndahet kryesisht mbi 13 anëtarë. Me një përllogaritje të thjeshtë, ngarkesa mesatare për secilin gjyqtar, për vendimimet e çështjeve të themelit, është 35.5 çështje në muaj.

Në lidhje më këtë aset të drejtësisë ka reaguar edhe Ish-ministri i Drejtësisë Ylli Manjani përmes një statusi në Facebook, ka shpërthyer kundër këtij vendimi, teksa nuk ka nguruar që ta quaj reformën në drejtësi si “PlehReforma”. Sipas tij është skandaloz fakti që të shkaktohet gjyqtarja, pasi bashkëshorti i saj ka patur një kontakt të papërshtatshëm, si dhe supozimi i KPA është i pavërtetë.

Postimi i Ylli Manjanit:

Trishtim i madh të shohësh se si ky karagjoz shtet hedh vijon të hedhë në rrugë magjistratë me dinjitet e profesionalizëm të lartë.

Rilinda Selimi, gjyqtare me përvojë në gjykatën Administrative pasi kaloi me sukses të gjitha hetimet skrupoloze nga të gjithë agjencitë e këtij shteti, ku nuk iu gjet asnjë qindarkë pasuri e padeklaruar dhe e pajustifikuar, pasi u hetua ajo,  familja e saj, familja e origjinës dhe familja e bashkëshortit. Nuk iu gjet asnjë vendim gjyqësor i gabuar.

E shkarkon KPA mbi bazën e një supozimi të PAVËRTETË e të PAQENË!!!

I thonë se meqë bashkëshorti i saj, edhe ai magjistrat, u shkarkua se na paska patur një kontakt të papërshtatshëm, shkarkohesh dhe ti!!!

Kulmi!

Të keqen e Frontit Demokratik të Enverit. Ata të paktën të thonin që ” mos rri me filanin”. Këta të DSIK nuk të thonë kush është i papërshtatshëm, sepse të papërshtatshmëve u lëshojnë certifikata të NATO-s…

Meqë ra fjala asnjë gjykatë nuk e ka shpallur fajtor këtë personin që këtyre ua ngecin si “të papërshtatshëm”!!!

Ky shtet ka në drejtimin e tij pushtetin me kontaktet më të papërshtatshme të mundshme. Qeveria ndan qejfin, punët, pushtetin e pasuritë e këtij vendi trafikantë e kriminelë e nuk i hyn gjemb në këmbë.

Bashkëshortes së dikujt, që në rrethana krejt pa lidhje me detyrën njihet me dikë,  që kohë më vonë do përflitej por kurrë nuk u dënua, i lëshohet mandata e shkarkimit.

Një gjykatëse me 20 vjet përvojë e humbet sistemi.

Ky është turp për shtetin!

PlehReforma është e gjitha në shërbim të pushtetit më të papërshtatshëm të mundëshëm.

Pastaj ça logjikë është kjo që familjen time në të ardhmen mund ta zërë vettingu pse unë para disa vitesh kam njohur Edi Ramën, personin që rri me të gjithë kontaktet e papërshtatshme të këtij rruzulli?!


Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *