Ish-kryetari i Gjykatës Administrative të Vlorës, Astrit Shema është larguar përfundimisht nga sistemi i drejtësisë, pasi Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka lënë në fuqi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për shkarkimin e tij.
Astrit Shema u shkarkua nga KPK në 21 shkurt të 2020, pasi nuk justifikonte pasuritë e tij. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit identifikoi pamundësi financiare në vlera të mëdha për blerjen e një trualli 500 m2 në Tiranë; ndërtimin në mënyrë informale të një godine 5 katëshe e kryerjen e investimeve të tjera. Në vendimin e arsyetuar, gjyqtari u penalizua edhe nga deklarimet e pasakta, mospërputhjet dhe përpjekjet për fshehjen e fakteve të rëndësishme për pasurinë e tij.
Njoftimi i vendimit:
Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Sokol Çomo kryesues, Ina Rama relatore, Albana Shtylla, Natasha Mulaj, Rezarta Schuetz anëtarë, shpalli vendimin për çështjen (JR) nr.16/2020, datë 02.06.2020, që lidhet me ankimin e subjektit të rivlerësimit Astrit Shema kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 239, datë 21.02.2020.
Në përfundim të gjykimit në dhomë këshillimi, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, shkronja “a” e ligjit nr.84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në mënyrë unanime, vendosi:
- Lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 239, datë 21.02.2020, që i përket subjektit të rivlerësimit Astrit Shema.
- Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.
U shpall sot, në Tiranë, më datë 28.06.2022.