KPA vendos të verifikojë tre çështje të hetuara nga Bledar Bejko

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA vendosi të mërkurën më 17 maj që të verifikojë tre prej pesë çështjeve të denoncuara nga publiku ndaj prokurorit të Durrësit, Bledar Bejko, të depozituara pas konfirmimit të këtij të fundit në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK.

Kryesuesja e trupit gjykues të Kolegjit, Albana Shtylla sqaroi të mërkurën se është vendosur që t’u kërkohen prokurorisë dhe gjykatës së Durrësit që të japin informacion dhe të vendosin në dispozicion dokumentacion lidhur me ecurinë procedurale të këtyre çështjeve për të cilat denoncuesit ngrenë pretendime më së shumti për zvarritje të hetimeve. Po ashtu, iu kërkua subjektit që të vendosë në dispozicion gjithë dokumentet që ai disponon lidhur me ecurinë e hetimit dhe përfaqësimit në gjykatë të tre dosjeve.

Nga sa u relatua, u mësua se një prej çështjeve ka të bëjë me kallëzimin e banorëve të një pallati të dëmtuar nga tërmeti i vitit 2019. Për dy çështje të tjera, KPA ka vlerësuar se nuk është e nevojshme të kryhen verifikime të mëtejshme.

Prokurori Bledar Bejko u konfirmua në detyrë më 26 maj 2022 nga trupa e KPK e kryesuar nga Pamela Qirko, me relatore Brunilda Bekteshin dhe anëtar Olsi Komicin. Ai iu nënshtrua dy seancave dëgjimore, me pyetje kryesisht mbi pasurinë dhe profesionalizmin.

Komisionerja Publike Irena Nino e vlerësoi vendimarrjen e KPK-së për Bejkon, të pambështetur në vlerësim të drejtë të fakteve, provave dhe legjislacionit për vetingun e magjistratëve. Ajo kreu ankim në të cilin kërkon shkarkimin e tij për probleme në të tre kriteret e rivlerësimit.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *