Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ka publikuar emrat e kandidatëve që do t’i nënshtrohen verifikimit të thelluar pasi kanë paraqitur probleme me të kaluarën e tyre. Në listë është kryetari i PSD-së Tom Doshi, së bashku me ish-kryebashkiakun e Mallakastrës Agron Kapllanaj dhe ish-futbollistin e Tiranës Gentian Muça.
Partia Socialiste ka 3 kandidatë të cilët do t’i nënshtrohen një verifikimi të thelluar dhe ata janë Artan Bitri, Halim Dauti dhe Leonard Beqiri. Ndërkohë nga PD përveç Agron Kapllanajt dhe Gentian Muçës do të verifikohet pastërtia e figurës edhe për Rezart Tushën e Zef Hilën.
Koalicioni ABEOK:
– Altin Gjeloshaj dhe Elsa Voka
Partia Lëvizja Socialiste për Integrim:
Arbër Arifaj- është i treti në listën e LSI-së për qarkun e Kukësit. Ai deklaron se ka qenë azilkërkues në Francë në vitin 2015, por se në formularin e dekriminalizimit nuk ka shënuar se ka qenë i dënuar, i dëbuar apo në hetim nga policia si në Shqipëri apo jashtë shtetit.
Partia Demokratike:
Agron Kapllanaj- I shtati në listën e kandidatëve për deputetë në qarkun e Fierit. Ish-kryebashkiaku i Mallakastrës. Ka qenë i dënuar në Itali e konvertuar 200 euro në vitin 1995. Gjithashtu ka qenë i hetuar nga Gjykata e Firences në prill të vitit 2003.
Gentjan Muça- Kandidat i PD-së për Tiranën i renditur i 26-ti në listë, me profesionin futbollist. Në vitin 2008 ka shkelur vizën studentore në Bonn të Gjermanisë. Në korrik të vitit 2011 është ndaluar në Budapest, pasi ka pasur një “ekspuls”, dëbim nga shteti gjerman.
Rezart Tusha- Kandidati i PD-së për Durrësin, i renditur i teti në listë. Në vitin 1994 ka pasur vendim për dëbimin nga Zvicra, ku pretendon se ka qenë për shkak të mbarimit të lejes së qëndrimit. Ndërsa disa ditë më parë për Tushën, Top Channel raportoi se është arrestuar në Zvicër më 18 shtator të vitit 1994 nga policia e Gjenevës në operacionin e koduar me emrin Hydra sepse kishte 42.5 gram drogë heroinë.
Zef Hila- Ish-kryetari i Bashkisë së Vaut të Dejës kandidon në qarkun e Lezhës. Ai në formularin e deklarimin shprehet se nuk ka asnjë dënim ndaj tij apo hetim. Por në media kanë dalë fakte se ka qenë në hetim për prokurorime të ndryshme të kryer kur ka ushtruar detyrën e kryetarit të bashkisë.
Partia Socialdemokrate:
Kleo Murataj- Kandidati i PSD-së i katërti në listën e PSD-së. Ka deklaruar se ka qenë i dënuar nga Gjykata e Tiranës në mars të 1991, por nuk mban mend dhe se për këtë i është drejtuar Gjykatës.
Gjithashtu ai ka qenë në hetim nga policia e Hanoverit, por nuk e mban mend ngjarjen që mund të ketë ndodhur në vitin 2016, por nuk e mban mend datën e muajin. “Mbas shoqërimit më lanë të lirë dhe nuk jam thërritur më në dijeninë time”, shprehet në formular. Nga 1992-1995 ka qenë emigrant ekonomik. Ndërsa në Gjermani ka jetuar për arsye biznesi nga shkurti 2016-prill 2016.
Tom Doshi- Kandidon në Tiranë dhe në Shkodër. Në formularin e deklarimit shprehet se është i dënuarme 1 vit burg më 25.05.1990, në kohën e regjimit komunist, për sjellje të padenjë në shoqëri. Ndërsa deklaron se ka qenë i ndaluar nga policia në 26 mars 2015 deri në 28 mars 2015. Masë e caktuar nga Gjykata e Lartë me “arrest në shtëpie”. Vendimi më pas është revokuar dhe i është dhënë detyrim paraqitjeje nga 28 prilli 2015 deri në 4 korrik 2017, kur çështja është pushuar.
Partia Socialiste:
Artan Bitri- Durrës i renditur i 10-ti në listën e kandidatëve për deputetëve. Ka deklaruar se ka “ekspuls” nga shteti italian, pra i dëbuar në mungesë, në Napoli në Itali. Kjo për vitet nga 2002-2012.
Halim Dauti-kandidati i PS-së qarku Kukës, i renditur i treti. Në formularin e dekriminalizmin shprehet se ka qenë i dëbuar nga Anglia, 16 tetor 2013, Kingston UK, ku ka jetuar si emigrant.
Leonard Beqiri- Kandidati i PS-së për qarkun Vlorë, i renditur i 10-ti. Ai deklaron se në Gjermani ka pasur në vitin 2004 një hetim në Gjermani, i dyshuar nga Policia e Aachen mbi të dhënat false për mbiemrin në formularin e garancisë për viza ndaj familjarëve. Në formular ai deklaron se çështja u pushua pas deklarimit të familjarëve se e kishin ndryshuar mbiemrin në vitin 1992 dhe solli dyshimet e autoritete policore gjermane.
KQZ po verifikon edhe kandidatët e tjerë, nëse për ndonjë prej tyre mund të ketë indicie për ta dërguar për verifikim të thelluar.