Kredia për shtëpi u rrit për të katërtin vit radhazi në 2023. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se kredia e re për blerje banesash arriti rekordin e ri historik prej 48.5 miliardë lekësh, ose rreth 466 milionë eurosh.
Kredia e re për banesa u rrit me 5.2% krahasuar me vitin 2022.
Vlera e portofolit aktiv ose tepricës së kredisë për shtëpi në fund të vitit 2023 arriti në pothuajse 177.2 miliardë lekë, me rritje vjetore prej 6.3%. Pesha e kredisë për shtëpi ndaj totalit të huasë së dhënë në vend është rritur me shpejtësi, nga 19% në fund të vitit 2015 në 26% në fund të 2023-it.
Ritmet e rritjes janë ngadalësuar krahasuar me vitin 2022, por pjesërisht kjo i detyrohet efektit të kursit të këmbimit dhe zhvlerësimit të Euros ndaj Lekut.
Normat relativisht të ulëta të interesit kanë bërë që kredia për shtëpi të rritet sidomos në monedhën vendase. Kredia e re për shtëpi në Lek vitin e kaluar arriti në 30.2 miliardë lekë, në rritje me 36% krahasuar me një vit më parë.
Kredia në monedhën vendase përbënte më shumë se 62% të disbursimeve të reja për këtë produkt.
Gjatë vitit 2023, Banka e Shqipërisë e ngadalësoi procesin e normalizimit monetar dhe në fund të vitit, norma bazë në Lek ishte në nivelin 3.25%, ndërsa në Euro arriti në 4.5%