Zyrtarët e qeverisë ruse janë urdhëruar nga Kremlini që të ndalojnë përdorimin e celularëve tip ‘iPhone’. Ata e kanë arsyetuar vendimin me frikën se pajisjet mund të kontrollohen nga shërbimet e inteligjencës perëndimore.
Lajmi është bërë i ditur nga gazeta ruse, “Kommersant” e cila shkruan e cila sqaron se në kuadër të një seminari për zyrtarët që merren me politikën e brendshme, Sergei Kiriyenko, nënkryetari i parë i administratës presidenciale, i ftoi ata të ndërrojnë pajisjet e tyre telefonike të paktën deri më 1 prill.
“Gjithçka ka mbaruar për iPhone; ose hidheni ose jepjani fëmijëve” – citohet të ketë thënë një nga pjesëmarrësit në takim.
Kremlini mund të sigurojë pajisje të tjera me sisteme të ndryshme operative për të zëvendësuar iPhone-ët, shtoi gazeta ruse.
Megjithatë, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov pohoi se nuk mund të konfirmonte lajmin, por shtoi se iPhone është mirë të mos përdoren për çështje zyrtare.
“Është e qartë se telefonat inteligjentë, sido që të jenë, nuk mund të përdoren për qëllime zyrtare… Çdo smartphone është një mekanizëm mjaft transparent, kështu që nuk ka rëndësi se cili sistem operativ është Android apo iOS ” – tha Peskov, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve.