Kreshnik Spahiu paralajmëron protesta të fuqishme për largimin e Bashës e Berishës

Ish-kreu i Aleancës Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu, paralajmëron protesta të fuqishme për largimin e Lulzim Bashës dhe Sali Berishës nga Partia Demokratike. Ai i është bashkuar zërave nga e djathta, të cilët kanë dalë kundër Lulzim Bashës, duke i kërkuar atij dorëheqjen pas zhgënjimit në zgjedhjet e 25 prillit.

Statusi

“Paralajmërohen protesta të fuqishme për largimin e Lulzim Bashës dhe Sali Berishës nga partia: “MAFIA IK”, shkruan Kreshnik Spahiu.

Rezultati i zgjedhjeve të 25 prillit ka shkaktuar përçarje brenda opozitës. Kandidatja për deputete e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Brisida Shehaj, akuzoi Partinë Demokratike për humbjen. Me anë të postimeve në rrjetet sociale, ajo shprehej se Basha kishte skenarët e tij dhe jo të opozitës, dhe këtu i referohet djegies së mandateve.

Më herët, ka patur tentativa për të larguar Lulzim Bashën nga drejtimi i Partisë Demokratike. Në shenjë rebelimi, mbështetësit e PD-së kanë mbajtur protesta, por me mbështetje minimale. Ish-kryetari i PD-së në Kukës, Ibsen Elezi ka qenë i pranishëm prej ditësh në protestë. Ai ka deklaruar se Basha duhet të japë dorëheqjen, për t’i hapur rrugë një procesi të ri zgjedhor brenda partisë. Sipas tij, do të mblidhen firma edhe nëpër rrethe, për të treguar revoltën dhe për të shkarkuar Bashën.

Po cilat janë procedurat që ndiqen për shkarkimin e kryetarit të partisë? Në Statutin e Partisë Demokratike, neni 48 pika 4 thuhet se është Kuvendi Kombëtar ai i cili vendos për shkarkimin e kryetarit të partisë, mbi bazën e një mocioni mosbesimi të miratuar nga më shumë se gjysma e anëtarëve të Këshillit Kombëtar. Por në nenin 47 pika 2 të Statutit thuhet se Kuvendi Kombëtar përbëhet nga anëtarët e Kryesive të degëve, përfshirë anëtarët e Bordit të Këshilltarëve të Degës; anëtarët e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, deputetët e Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërisë, sekretarët funksionalë të Partisë Demokratike, koordinatorët tematikë, koordinatorët e procesit zgjedhor në Degët e Partisë Demokratike dhe funksionarët e Selisë Qendrore të Partisë Demokratike. Kështu që shkarkimi i kreut të PD-së, Lulzim Basha, është thuajse i pamundur, pasi në përbërjen e Kuvendit Kombëtar janë të gjithë mbështetësit e tij duke filluar nga deputetët që do të hyjnë tani në Parlament e deri tek anëtarët e bordit dhe sekretarët.

Më herët, 10 anëtarë, disa prej tyre ish-figura qëndrore të Partisë Demokratike kërkuan largimin e Lulzim Bashës nga drejtimi i PD-së, së bashku me sekretarin e përgjithshëm Gazment Bardhi, dhe nënkryetarët e kësaj force politike. Në letrën që mban firmën e Edith Harxhit, Endira Bushatit, Bujar Nishanit, Ibsen Elezit, Bislim Ahmetajt, Arben Imamit, Arben Ristanit, Edvin Kullurit, Pirro Ahmetajt dhe Endrit Hoxhës, thuhet se përgjegjësia e humbjes së zgjedhjeve të 25 prillit është mësë pari e Lulzim Bashës.

Përfaqësuesit kundër Bashës

Edith Harxhi
Endira Bushati
Bujar Nishani
Ibsen Elezi
Bislim Ahmetaj
Arben Imami
Arben Ristani
Edvin Kulluri
Pirro Ahmetaj
Endrit Hoxha

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *