Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu u ka uruar besimtarëve myslimanë festën e Fiter Bajramit.
Bujar Spahiu shprehet se Fiter Bajrami është festa që kurorëzon sakrificën e muajit të Ramazanit.
Ndërsa bën thirrje që “t’i gjendemi përherë pranë të varfërve dhe të angazhohemi përditë për një shoqëri të drejtë e solidare”.
“I lutemi Zotit për kombin tonë, për rininë, për mësuesit, mjekët, policët, ushtarakët dhe gjithsecilin që punon për sigurinë, mirëqenien dhe prosperitetin e vendit tonë”, thotë Kreu i KMSH-së në urimin e tij.
Urimi i plotë:
Të dashur besimtarë myslimanë dhe shqiptarë kudo që ndodheni, më lejoni t’ju uroj nga zemra gëzuar Fitër Bajramin.
Pas muajit të Ramazanit, muaj ku ndërlidhen përkushtimi e sakrifica, muaj në të cilin qenia jonë u shkëput nga përditshmëria materiale e muajve të tjerë, nesër, të gjithë besimtarët myslimanë festojnë Fitër Bajramin, festën që kurorëzon sakrificën e këtij muaji, dhe siç na ka premtuar Zoti (xh.sh.) në Kuranin Famëlartë, pas vështirësisë vjen lehtësimi.
Bajrami është festë që përjetohet në çdo zemër e në çdo vatër.
Urojmë që sikurse në këtë ditë kur ata që kanë më shumë japin për nevojtarët (ZEKATIN), t’i gjendemi përherë pranë të varfërve dhe të angazhohemi përditë për një shoqëri të drejtë e solidare.
Sakrifica dhe devotshmëria e muajit të Ramazanit duhet të jetë shembull i angazhimit tonë për adhurimin e Zotit të Gjithësisë, kurse solidariteti dhe dashuria që e karakterizojnë festën e Fitër Bajramit të jenë vlera të përhershme të shoqërisë dhe mbarë njerëzimit.
Motra dhe vëllezër, i lutem Zotit të na ketë pranuar këtë sakrificë, të na ketë falur gjynahet, të ketë shtuar begatinë, paqen dhe mëshirën e tij të pakufijshme mbi çdo zemër e cila ka sakrifikuar në emër të Zotit!
I lutem Zotit të mëshirojë të gjithë të dashurit tanë që nuk jetojnë më!
T’u japë shërim dhe t’u lehtësojë dhimbjen çdo të sëmuri!
Për më të varfërit dhe nevojtarët e shoqërisë tonë, o Zot largojua barrën e rëndë dhe shtrëngimin që sjell skamja.
I lutemi Zotit për kombin tonë, për rininë, për mësuesit, mjekët, policët, ushtarakët dhe gjithësecilin që punon për sigurinë, mirëqenien dhe prosperitetin e vendit tonë.
Edhe njëherë ju uroj Gëzuar Fitër Bajramin me urimet më të përzemërta, në emrin tim personal dhe të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë!
Shëndet e mirësi për çdo familje shqiptare!
Gëzuar!