Kreu i KQZ Ilirjan Celibashi ka deklaruar se kostoja për zgjedhjet e ardhshme lokale të 14 Majit pritet që të jetë 5.3 miliardë lekë.
Në një konferencë për mediat, Celibashi tha se nga këto, 3 miliardë janë llogaritur për projektin e votimit elektronik në 6 bashki të tjetra nëse ai projekt do të realizohet. Sipas Celibashit, në zgjedhje do të përfshihen 352 punonjës, pa përfshirë operatorët e identifikimit elektronik.
Më tej, Celibashi listoi afatet lidhur me zgjedhjet vendore të 14 Majit 2023.
“5.3 miliardë lekë prej të cilave 3 miliard është kosto e llogaritur për projektin e votimit elektronik në 6 bashki të tjera. Në rast se ky projekt do të realizohet, do të ketë këtë kosto. Gjithë pjesa tjetër e diferencës përbën koston e gjithë aspekteve të tjera të procesit zgjedhor.
Në 13 Janar të 2023 fillon afati për raportimin e institucioneve publike në lidhje me veprimtaritë e tyre me karakter publik, të cilat ata planifikojnë t’i zhvillojnë gjatë periudhës zgjedhore. Në 6 Mars 2023 përfundon afati për paraqitjen e kërkesave për regjistrimin e partive politike, pra jo më vonë se 70 ditë përpara datës së zgjedhjeve. 15 Mars 2023 përfundon afati për paraqitjen e kërkesave për regjistrimin e koalicioneve. 27 Mars 2023 përfundon afati për paraqitjen e kandidatëve për kryetar të bashkisë, si dhe të listave shumë emërore për anëtarë të këshillave bashkiakë. Më 14 Prill fillon fushata zgjedhore. Në 8 Maj përfundon afati për publikimin e sondazheve. Në 13 Maj 2023 përfundon fushata zgjedhore dhe fillon heshtja zgjedhore”, tha Celibashi.