Presidenti Bajram Begaj ka falënderuar sot të gjithë qytetarët të cilët morën pjesë ne procesin e votimit.
Në një postim në Facebook, kreu i shtetit u bëri thirrje të gjithë personave që do të jenë pjesë e procesit të numërimit të votave, që të kryejnë detyrën me përgjegjësi, ndershmëri e profesionalizëm.
“Falenderoj të gjithë shqiptarët të cilët votuan sot me përgjegjësi e dinjitet, duke përmbushur kështu një të drejtë kushtetuese, por edhe një detyrim moral e qytetar ndaj vendit.
Në këtë moment të fillimit të numërimit të votave, si dhe të nxjerrjes së rezultateve, ju bëj thirrje të gjithë të përfshirëve në këtë proces që të kryejnë detyrën e tyre me përgjegjësi, ndershmëri e profesionalizëm, duke siguruar e garantuar vullnetin e shprehur me votë të qytetarëve shqiptarë.
Votuesit shqiptarë folën!
Është koha që vota e tyre të numërohet drejt dhe pa vonesë”, shkruan zoti Begaj.