Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca, ka inspektuar ambientet e Drejtorisë së Teknologjive Blegtorale, pjesë e Qendrës së Transferimit Bujqësor në Korçë.
Ministrja Krifca u shpreh se qeveria shqiptare ka një vizion të qartë për blegtorinë shqiptare, e cila mbështetet në sisteme prodhimi të cilat prodhojnë në mënyrë të qëndrueshme ekonomikisht për fermerët, me siguri ushqimore për konsumatorët dhe me ndikim të ulët në mjedis.
Projekti “Intenerare të gjelbra për bujqësinë Shqiptare” në bashkëpunim me “IDELE”, institutin e referencës për blegtorinë në Francë, por edhe në nivel botëror, synon që të aplikojë në terrenin shqiptar teknika të mbarështrimit të blegtorisë të cilat nga njëra anë rrisin nivelin e produktivitetit, pa rritur kostot e prodhimit të fermerëve, dhe në anën tjetër ulin efektet negative të blegtorisë në mjedis.
Ministrja Krifca theksoi se ky projekt, i cili zhvillohet në zonën e Korçës dhe të Gjirokastrës, synon që të zhvillojë praktika të reja të blegtorëve të gjedhit dhe të imtave të cilat kushtojnë më pak, duan më pak energji, rrisin produktivitetin e fermave blegtorale dhe afrojnë më shumë të rinjtë me sektorin e blegtorisë.