Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, në konferenën e zakonshme për mediat, foli sërish për skandalin e lidhjes së ish-agjentit të FBI-së të arrestuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me kryeministrin e vendit Edi Ramën. Sipas Berishës, ish-zyrtari i lartë ka mbështetur kryeministrin në dhunimin e zgjedhjeve dhe në fitoren e paligjshme.
Pjesë nga fjala e Berishës: “Në këtë çështje, me këtë skandal, janë dëmtuar interesat e mbarë shqiptarëve sepse afera Rama-McGonigal ishte një levë Arkimedi për konsolidimin, për fitoren e paligjshme dhe konsolidimin e pushtetit të Edi Ramës të bazuar në krimin, drogën, vjedhjen.
Shqiptarët janë dëshmitarë për të gjithë mbështetjen e jashtëzakonshme që iu dha Edi Ramës, pavarësisht nga dhunimi i zgjedhjeve, pavarësisht nga shndërrimi i vendit në një protektorat krimi, pavarësisht nga vjedhjet e shfrenuara të fondeve, buxhetit, pasurive publike të shqiptarëve.
Nuk ka dyshim se prapa kësaj mbështetje qëndronte edhe dora e zezë e Charles McGonigal, që bëri gjithçka, duke tradhtuar vendin e tij, betimin ndaj ligjit dhe Kushtetutës, besimin e presidentit të SHBA dhe të Kongresit amerikan ndaj tij dhe u mor me shkatërrimin e opozitës shqiptare, me qëllimin e vetëm, që pagatori i tij të vazhdonte të qëndronte në pushtet dhe ta paguante më tej.”