Është 16 vjeç, por i përfshirë në disa ngjarje kriminale. Këtë të enjte policia e arrestoi si autor të tritolvënies së ndodhur një javë më parë në një fasoneri këpucësh, në zonën e Freskut në Tiranë. I mituri është person me precedent penal, i arrestuar edhe pak muaj më parë për tritolvënie në një banesë në Valias.
Në atë kohë, gjykata e liroi nga qelia me masë më të butë për shkak të moshës. 16 vjeçari banon në zonën e Kamzës dhe për policinë njihet si problematic, i dyshuar për vjedhje dhe konflikte me persona të tjerë.
Pasi u arrestua për shpërthimin me tritol në fasonerinë në Fresk, ai i tha hetuesve se ishte porositur nga 46 vjeçari Edmond Arapi që të vendoste tritolin në derën e fasonerisë të një pronari Italian kundrejt shumës 100 mijë lekë të reja.
16 vjeçarit, pas arrestimit policia i sekuestroi veshtjet e përdorura në ngjarje, biçikletën me të cilën u largua, e dyshuar e vjedhur më parë, si dhe një mekanizëm shkrehës arme.
Pas dëshmisë së 16 vjeçarit, policia arrestoi edhe porositësin Edmond Arapin. 46 vjeçari u kap në Himarë ku ishte larguar pas shpërthimit me tritol.
Ai ka mohuar të ketë porositur vendosjen e tritolit. Ndërsa pronari Italian Roberto Del Gaido nuk është marrë në pyetje për të zbuluar konfliktet që ka me Arapin, pasi është larguar në Itali.
Në sajë të hetimeve, policia ka dyshime se Edmond Arapi i kishte vënë gjobë prej 100 mijë euro italianit Roberto Del Gaido dhe e kërcënuar disa herë që nëse nuk do t’a paguante këtë shumë, do të ishte i rrezikuar. Por italiani kishte refuzuar të paguante. Dyshohet që gjoba të jetë vënë për shkak të ndonjë konflikti që italiani dhe 46 vjeçari të kishin për fasonerinë.
Ky nuk është rasti i parë që të miturit përfshihen në paligjshmëri. Referuar të dhënave, gjatë vitit 2022, numri i krimeve të kryera nga të miturit ka qenë 1470, ndërsa janë arrestuar 50 të mitur për vepra të ndryshme penalë dhe të tjerë janë hetuar në gjendje të lirë.