Krimet Zgjedhore/ KQZ bën apel: Kujdes! Ja dënimet në çdo rast

Shqiptarët kanë ende kohë për të marrë pjesë në zgjedhjet e 14 majit për të zgjedhur kryetarët e bashkive dhe anëtarët e këshillave bashkiakë. Dhe gjithashtu ka ende kohë për nisjen e fushatës dhe shpalljen e kandidatëve nga forcat politike, regjistrimin e koalicioneve e të tjera procedura që janë përcaktuar në Kodin Zgjedhor.

Por, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, që po përgatit procesin, ka lëshuar një tjetër apel për krimet zgjedhore, duke iu drejtuar jo vetëm zyrtarëve publikë, por edhe qytetarëve. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u kujton zgjedhësve se krimi zgjedhor është vepër penale dhe dënohet me burg dhe se në asnjë rast nuk do të tolerohet cilido person që konsumon një krim të tillë.

KQZ bën të ditur se shitja dhe blerja e votës dënohen nga 1 deri në 5 vite burg. Fotografimi i votës në dhomën e fshehtësisë dhe shfaqja tek të tjerët dënohet nga 3 muaj deri në 3 vite burg. Ndërsa votimi familjar apo më shumë se një herë dënohet nga 1-3 vite burg.
Një masë tjetër, e cila do të marrë ndëshkimin ligjor nëse konsumohet ka të bëjë me zyrtarët publikë, të cilët veprojnë në shkelje të ligjit, duke nisur nga fushata gjatë kryerjes së detyrës, pjesëmarrja në aktivitete politike gjatë orarit zyrtar, ndikimi i votës tek të tjerët, e të të tjera.

Ndërkohë, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, çdo cenim që prek zgjedhjet pa kryer identifikimin elektronik, kanosja, falsifikimi apo dëmtimi i materialit zgjedhor dënohen nga 3 muaj deri në 7 vite burg. Gjithashtu, si një masë parandaluese është edhe portali në faqen zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, përmes të cilit ftohen të gjithë qytetarët të denoncojnë krimet zgjedhore.

Në zgjedhjet e vitit 2021 dhe ato të pjesshme në 6 mars 2022 ka pasur një shifër të lartë denoncimesh. Sipas shifrave, në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm mbërritën 158 njoftime/ kallëzime për krime të dyshuara zgjedhore, por u regjistruan vetëm 82 procedime penale. Raporti vjetor i organeve të hetimit saktësoi gjithashtu se Prokuroria e Posaçme, SPAK, administroi rreth 115 kërkesa për hetim nga subjektet dhe prokuroritë e rretheve, nga të cilat regjistroi 57 procedime penale.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *