Prokuroria e Përgjithshme ka reaguar në lidhje me krimet zgjedhore, të kryera në periudhën para, gjatë dhe pas zgjedhjeve të 25 prillit.
Përmes një deklarate me shkrim, Prokuroria thotë se janë regjistruar 53 njoftime në total, nga të cilat, 7 prej tyre kanë përfunduar, 5 persona janë në hetim, një çështje i ka kaluar SPAK, një është pezulluar dhe dy procedime me dy të pandehur janë dërguar për gjykim.
Mes të tjerash, sqarohet se, aktualisht po ndiqen penalisht 11 persona, janë arrestuar në flagrancë 5 persona dhe është kërkuar masa e sigurisë “arrest në burg” për 4 persona prej të cilave është pranuar kërkesa për 3 persona.
Njoftimi i plotë i Prokurorisë së Përgjithshme:
Tiranë, 10 qershor 2021. Në vijim të masave administrative dhe procedurale të ndërmara nga Prokurori i Përgjithshëm për të garantuar funksionimin normal të prokurorisë në përputhje me detyrimet kushtetuese dhe ligjore për periudhën para, gjatë dhe pas zgjedhore, prokuroria është angazhuar për hetimin e veprave penale në fushën e zgjedhjeve, në kompetencë lëndore të juridiksionit të përgjithshëm.
Nga raportimet e prokurorive të juridiksionit të përgjithshëm mbi veprat penale në fushën e zgjedhjeve për periudhën parazgjedhore e deri më datë 08.06.2021 rezulton se prokuroritë kanë regjistruar procedimin penal për 53 njoftime për vepra penale në lidhje me zgjedhjet. Nga çështjet e regjistruara kanë përfunduar 7 prej tyre me 5 persona në hetim, prej të cilave 3 procedime me 3 persona nën hetim janë transferuar në SPAK, 1 është pushuar, 1 është pezulluar dhe 2 procedime me 2 të pandehur janë dërguar për gjykim.
Në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm janë në proces verifikimi paraprak 41 njoftime për veprat penale në fushën e zgjedhjeve. Janë transferuar për kompetencë lëndore SPAK-ut 23 njoftime dhe është vendosur mosfillimi i procedimit penal për 25 njoftime për veprat penale si më poshtë:
Veprat penale në fushën e zgjedhjeve
Neni 325, Pengimi i subjekteve zgjedhjore
Neni 326, Falsifikimi i materialit zgjedhor dhe rezultateve të zgjedhjeve
Neni 326/a, Dëmtimi me dashje i materialit zgjedhor
Neni 327, Shkelja e fshehtësisë së votimit
Neni 327/a, Votimi më shumë se një herë ose pa u identifikuar
Neni 328, Korrupsioni aktiv në zgjedhje
Neni 328/a, Përdorimi i funksionit publik për veprimt. politike ose zgjedh.
Neni 328/b, Korrupsioni pasiv në zgjedhje
Neni 329, Kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje
Neni 330, Pengimi i zgjedhësit
Neni 330/a, Braktisja e detyrës nga anëtarët e komisioneve të zgjedhjeve
Neni 331, Shkelja e të drejtës së zgjedhjes
Neni 331/a, Marrja ose përdorimi i paligjshëm i dokumenteve të identifikimit
Neni 332, Shpërdorimi i autoritetit ushtarak
Neni 332/a, Shpërdorimi i autoritetit policor
Neni 248, Shpërdorimi i detyrës ne lidhje me aktet ligjore për zgjedhjet
Aktualisht po ndiqen penalisht për veprat e mësipërme 11 persona, janë arrestuar në flagrancë 5 persona dhe është kërkuar masa e sigurisë “arrest në burg” për 4 persona prej të cilave është pranuar kërkesa për 3 persona.
/Priza.al/