Një sherr mes disa të rinjve ka përfunduar në vrasje 3 ditë më parë në Elbasan pasi konflikti ka agravuar deri në përdorimin e armëve të ftohta. Për pasojë, Florenc Kovaçi, 28 vjeç, ka mbetur i vdekur, ndërsa vëllai i tij, Mikel Kovaçi 19 vjeç, ka mbetur i plagosur dhe ndodhet në gjendje të rëndë
‘Molla e sherrit’ e këtij krimi mësohet të ketë qenë një 14-vjeçare, e cila ka deklaruar se është përdorur për shpërndarjen e lëndës narkotike për 1 vit e gjysmë. Ajo tha se Mikelin e kishte më shumë se shok, por miqtë e dy vëllezërve e kanë shfrytëzuar për 1 vit. Ajo tregon se i kishte treguar familjes rreth të gjithë gjërave, por pranon se i kishte kthyer shpinën atyre.
Ndërkaq, gjyshja e Ardit Hidës, 24-vjeçari i cili akuzohet si autor i vrasjes të Florenc Kovaçit dhe të plagosjes të rëndë të vëllait të këtij të fundit, Mikel Kovaçit, deklaron se vëllezërit shfrytëzonin mbesën e saj.
“Djalit i lumshin duart, edhe policisë i thashë më jep armën sepse do ti vras të gjithë si familje”, është shprehur e revoltuar për emisionin “Shqipëria Live”, gjyshja e autorit 24 vjeçar Ardit Hida.
Ndër të tjera gjyshja ka akuzuar viktimën dhe vëllanë e tij që u plagos, se shfrytëzonin mbesën e saj, pra motrën e nipit të saj që tashmë akuzohet për vrasje dhe plagosje.
E moshuara tha më tej se dy vëllezërit ia merrnin mbesën, e cila sot është 14 vjeç, e drogonin dhe e shfrytëzonin për prostitucion.
Gjyshja e Ardit Hida shprehet: “Ka vrarë Mikelin dhe Florencin tha, shumë mirë ia ke bërë i thashë. Djali erdhi në shtëpi dhe nuk tha që ka bërë krim. Të dy vëllezërit kanë dashur ta çonin për prostitutë. E shpërndanin në grup këta. E shfrytëzonin vajzën si prostitutë në Elbasan. Nuk vinte në shtëpi, e linin në rrugë se e drogonin. Vajza nuk tregonte. I thoja hajde, po e drogonin dhe prap me horrat rrinte. Në Polici e kam denoncuar kam një vit e gjysmë, nuk e kanë marrë për bazë. 100 herë kam denoncuar. Nuk e morën në mbrotje. Jeta ka qenë me halle, herë me bukë, herë pa bukë. Vajza është në klasë të tetë këtë vit, e la shkollën fare.”
Ndërsa gazetari i drejtohet me pyetjen: “Nuk më dukeni e keqardhur që djali ka vrarë një prej vëllezërve dhe tjetri është në gjendje të rëndë”, gjyshja e autorit thotë: “Atij i lumshin duart. Edhe policisë i thashë, ma jep armën, unë do ti vras të gjithë si familje ato”.
E pytur nga gazetari nëse babai i viktimës ka pasur dijeni se djali i tij e shfrytëzonte 14-vjeçaren ajo përgjigjet: “Po patjetër, u japin lëndë narkotike. Ka edhe goca të tjera janë grup këto,” shprehet e moshuara më tej.
Sakaq, gjykata vendosi të lërë sot në burg 24-vjeçarin Hida. Në sallën e gjyqit ky i fundit ka deklaruar se i ka qëlluar vëllezërit pasi i ngacmonin motrën 14-vjeçare.
Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e së premtes së kaluar në lagjen “Qemal Stafa” në Elbasan. Hida qëlloi me thikë në drejtim të vëllezërve Kovaçi duke lënë të vdekur Florenc Kovaçin, ndërkohë që i plagosur mbeti vëllai i tij Mikeli.
/Burimi i intervistës: abcnews/