Ditën e sotme, një ngjarje kriminale ka ndodhur në Ersekë, konkretisht në zonën e Shelegurit, ku një kalë është qëlluar me armë zjarri.
Pas një denoncimi të bërë në rrjetet sociale nga pronarët e “Farma Sotira Agroturizëm”, mësohet se persona të paidentifikuar kanë qëlluar mbrëmjen e djeshme kalin që ata kujdeseshin prej shumë vitesh. Më tej, “Farma Sotira” bën thirrje që organet përkatëse ta zbardhin dhe ta dënojnë ngjarjen.
“Kalin tonë Balashin, e vranë në zonën e Shelegurit me çifte persona që nuk e dinë çfarë është dashuria për kafshët, dhimbja për ne është e pa imagjinueshme. Kemi vite që me shumë sakrifica, me shpirt nëpër dhëmbë, mundohemi ta zhvillojmë turizmin, të sjellim mijëra miq në këtë zonë të bukur por dhe pothuajse të braktisur.
Me qëllimin e vetëm për të ndërtuar një jetë për familjen tonë dhe për të frenuar sadopak shpopullimin e këtyre vendeve të mrekullueshme. Po bëhet çdo ditë dhe më e vështirë por ne nuk dorëzohemi kurrë. I lutemi organeve përkatëse ta zbardhin dhe dënojnë ngjarjen, por edhe juve miq të na bashkoheni, sepse kjo ngjarje kërkon dënim dhe nga opinioni publik”,– shkruhet në denoncimin e bërë.