Kristiano Ronaldo ka rikonfirmuar ambicien e tij për të udhëhequr Portugalinë edhe drejt Europianit të 2024-ës, gjatë ceremonisë për akordimin e çmimit të golashënuesit më të mirë të kombëtares së tij. Sulmuesi i Junajtidit ka qëndruar përgjithësisht në stol këtë sezon.
Pasi dështoi të pilotonte një largim nga “Old Trafford” gjatë verës, 37- vjeçari u rikthye vonë në grumbullim me klubin e tij, duke bërë që ai ta nisë sezonin nga stoli në ndeshjen e parë kundër Brajtonit. Portugezi u rikthye në formacionin titullar një javë më vonë, por Junajtid u poshtërua përsëri nga Brentfordi 4- 0.
Trajneri Ten Hag e uli sërish në stol dhe rezultatet e skuadrës në katër ndeshjet e ardhshme të kampionatit ishin vetëm fitore. Por situata nisi të përmirësohet për CR7 ndërsa ai shënoi golin e parë të sezonit në ndeshjen e Ligës së Europës kundër Sherif Tiraspolit të enjten e shkuar.
Pesë herë fituesi i “Topit të Artë”, i cili ka shprehur dëshirën për të luajtur deri në moshën 40- vjeçare, aktualisht është në grumbullim me kombëtaren luzitane dhe duke u përgatitur për dy ndeshjet e Ligës së Kombeve, kundër Republikës Çeke dhe Spanjës. Autori i 117 golave në 189 ndeshje me Portugalinë është golashënuesi më i mirë në historinë e një kombëtareje, ndërsa ambicia e tij përveçse të fitojë Botërorin e Katarit këtë dimër, është një tjetër triumf në Europë në vitin 2024, kur do të jetë 39 vjeç.
Duke folur nga ceremonia e tërheqjes së çmimeve “Quinas de Ouro” këtë javë, ai tha: “Unë shpresoj që të jem pjesë e kombëtares edhe për disa vite të tjera. Ndihem ende i motivuar dhe ambicien e kam të lartë. Rruga ime në kombëtare nuk ka përfunduar. Ne kemi shumë të rinj cilësorë.
Unë do të jem në Kupën e Botës dhe dua të jem edhe në Europian”. Dhe në lidhje me çmimin ku ai u nderua si shënuesi më i mirë i kombëtares, Kristiano shtoi: “Jam krenar që marr një çmim të kësaj rëndësie. Nuk e kam menduar kurrë se një ditë do ta merrja këtë. Falënderoj këdo që ka qenë i rëndësishëm në karrierën time. Ka qenë një rrugë e gjatë, por do të më pëlqente të thosha se rruga ime nuk ka përfunduar ende”.