Rishi Sunak ka “mënjanuar” Suella Braverman dhe po e “përjashton” atë nga vendimet e rëndësishme, pohuan sot laburistët. Yvette Cooper pretendoi se kryeministri britanik po e largon atë nga çështjet për emigracionin. Kjo deklaratë vjen pasi Braverman u kritikua ashpër për trajtimin e krizës së emigrantëve.
Braverman u riemërua sekretare e Brendshme vetëm 6 ditë pasi u detyrua të jepte dorëheqjen për thyerjen e kodit ministror. Ndërkaq, nga ana tjetër, përfaqësues të Braverman kanë thënë se këto janë sulme të pabaza dhe të dëshpëruara. Cooper, në një intervistë që dha për Times Radio u shpreh:
“Ideja që Sunak ka emëruar sekretare të Brendshme Braverman 6 ditë pasi ajo u shkarkua për gabime sigurie – ai e riemëroi dhe tani e la mënjanë atë. Padyshim që po e përjashton atë nga vendimet. Pra, kjo në vetvete është kaotike. Nëse Suella Braverman thotë një gjë, Robert Jenrick (ministri i imigracionit) thotë një tjetër, Rishi Sunak thotë krejtësisht diçka tjetër.
Ne kemi pasur tetë ministra të imigracionit dhe gjashtë sekretarë të brendshëm vetëm në shtatë vitet e fundit. Kjo është ajo që kanë bërë konservatorët në mënyrën se si e kanë trajtuar këtë. Thjesht marrim retorikë prej tyre. Ne nuk kemi plane konkrete.”