Mesa duket kriza e shoferëve të transportit të karburantit në Mbretërinë e Bashkuar ka sjellë një “mundësi të artë” për shqiptarët që jetojnë atje. Ambasadori i Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar, Qirjako Qirko, në një intervistë për “The Guardian” tha se, mijëra emigrantë shqiptarë në Mbretërinë e Bashkuar do të ishin të gatshëm të punonin për asgjë për të ndihmuar në trajtimin e krizës së benzinës.
“Nëse qeveria juaj do të donte, ne mund të ofrojmë shoferë të mirë të besueshëm, ndoshta 5,000 menjëherë”,- tha ai.
Ai tha se shumë prej 150,000 shqiptarëve që jetojnë në MB do të punonin nga mirënjohja për ta. Meqenëse një numër i konsiderueshëm besohet të jetë i padokumentuar, është e pamundur të dihet se sa janë shoferët e kualifikuar të HGV.
Qirko tha se ai besonte se shumë shqiptarë në Britani janë shoferë kamionësh që mund të ndihmojnë për të kompensuar një mungesë të vlerësuar deri në 100,000.
“Shqiptarët janë gati të punojnë që qeveria britanike të kapërcejë këtë problem pa pagesë. Nuk e di nëse ata kanë licencat e duhura, por nëse i kanë patur, jam i sigurt që të gjithë këtu do të thonë ‘Unë mund të ndihmoj’.
Qirko përmendi ndërhyrjen e NATO -s në Kosovë në vitin 1999 për shpëtimin e qindra shqiptarëve etnikë.
“Shqiptarët në Mbretërinë e Bashkuar do të punonin falas për këtë vend për shkak të asaj që ky vend ka bërë për ta… Ne i jemi mirënjohës përgjithmonë qeverisë dhe ushtria e këtij vendi, për atë që bënë për vëllezërit tanë në Kosovë”.
Qirko u bëri thirrje britanikëve që t’i shikojnë shqiptarët si një pasuri dhe jo si një problem, duke u ankuar se ata shpesh portretizohen si anëtarë të bandave, shpërndarës droge dhe trafikantë njerëzish, përfshirë nga organet qeveritare si Agjencia Kombëtare e Krimit.
“Sigurisht, ka disa njerëz nga komuniteti im që janë të përfshirë në veprimtari kriminale, por pse është kaq e nevojshme të përmendet kombësia e tyre? Kombësia nuk ka të bëjë me krimin. Ju nuk thoni që dikush është një kriminel homoseksual ose lezbik, prandaj pse thoni se ka “kriminelë shqiptarë”? Duke përmendur kombësinë krijoni një perceptim negativ, në lidhje me të gjithë komunitetin këtu që po bën një punë të ndershme. Shqiptarët që vijnë këtu nuk janë kriminelë. Ata janë njerëz që duan një jetë më të mirë”,- tha ai.
Kriza filloi pas deklaratës që erdhi dy javë më parë nga kompanitë “BP” dhe “Tesco Alliance”, të cilat thanë se furnizimi ishte ndërprerë për shkak të mungesës në shkallë vendi të shoferëve për kamionë të rëndë.
Pas kësaj deklarate para pikave të karburantit u krijuan radhë të gjata, kurse disa pika kishin mbetur pa karburant. Për një zgjidhje të afatshkurtër të problemit u tha se do të kërkohej ndihmë nga ushtria.
/Burimi: The Guardian/