Kriza e re e refugjatëve afganë, shtetet e Europës të ‘trembura’. Ja si po reagojnë…

Pas krizës së migrantëve të vitit 2015, e nxitur nga lufta siriane, udhëheqësit evropianë po kërkojnë dëshpërimisht të shmangin një fluks tjetër të madh të refugjatëve dhe emigrantëve nga Afganistani. Me përjashtim të atyre që ndihmuan forcat perëndimore në luftën dydekadëshe të vendit, mesazhi për afganët që mendojnë të ikin në Evropë është: Nëse duhet të largoheni, shkoni në vendet fqinje, por mos hajdeni këtu!- shkruan Associated Press dhe VOA.

“Qëllimi ynë është që të mbajmë shumicën e njerëzve në rajon”, tha Ministri i Brendshëm austriak Karl Nehammer këtë javë, duke i bërë jehonë asaj që thonë shumë nga udhëheqësit evropianë.

Zyrtarët e Bashkimit Evropian thanë gjatë një takimi të ministrave të brendshëm këtë javë se mësimi më i rëndësishëm nga viti 2015 ishte të mos i linin Afganët pa ndihmë urgjente humanitare pasi ata të nisin të largohen nga vendi, sipas një dokumenti konfidencial diplomatik gjerman të siguruar nga agjencia e lajmeve “Associated Press”.

Austria, ndër vendet evropiane me qasjen me të ashpër ndaj migrimit, sugjeroi ngritjen e “qendrave të dëbimit” në vendet fqinje me Afganistanin, në mënyrë që vendet e BE-së të dëbojnë ata afganë të cilëve u është refuzuar azili edhe nëse ata nuk mund të kthehen sërish në vendin e tyre.

Skenat dëshpëruese të njerëzve që kapen pas avionëve që ngrihen nga aeroporti i Kabulit kanë thelluar ankthin e Evropës mbi një krizë të mundshme refugjatësh. SHBA dhe aleatët e saj të NATO-s po përpiqen të evakuojnë me mijëra afganë, të cilët kanë frikë se do të ndëshkohen nga talebanët për bashkëpunimin me forcat perëndimore. Por afganët e tjerë nuk ka gjasa të gjejnë të njëjtën mikpritje.

Edhe Gjermania, e cila që nga viti 2015 ka pranuar më shumë sirianë se çdo vend tjetër perëndimor, sot po dërgon një sinjal ndryshe.

Disa politikanë gjermanë, përfshirë Armin Laschet, kandidati i bllokut të qendrës së djathtë të unionit që pritet të pasojë Angela Merkelin si kancelare, paralajmëruan javën e kaluar se “nuk duhet të përsëritet” kriza e migracionit e vitit 2015.

Të hënën, Presidenti francez Emmanuel Macron theksoi se “e vetme Evropa nuk mund t’i përballojë pasojat” e situatës në Afganistan duke shtuar se: “duhet të mbrojmë veten nga flukset domëthënëse të paligjshme migratore”.

Britania, e cila u largua nga BE-ja në vitin 2020, tha se do të mirëpriste 5,000 refugjatë afganë këtë vit dhe do të strehojë një total prej 20,000 në vitet e ardhshme.

Përveç kësaj, ka pasur pak oferta konkrete nga vendet evropiane, të cilat përveç evakuimit të qytetarëve të tyre dhe bashkëpunëtorëve afganë, thonë se ata po përqëndrohen në ndihmën ndaj afganëve brenda vendit të tyre dhe në vendet fqinje si Irani dhe Pakistani.

Evropa “nuk duhet të presë derisa njerëzit të mbërrijnë në kufirin tonë të jashtëm”, tha Komisionerja e Punëve të Brendshme të BE -së, Ylva Johanson.

Greqia, ishujt piktoreske të së cilës ndodhen përballë bregdetit turk ishin pika evropiane e hyrjes për qindra mijëra sirianë, irakianë, afganë dhe të tjerë gjashtë vite më parë. Tashmë ky vend e ka bërë të qartë se nuk dëshiron ta përjetojë sërish atë krizë.

Ministri i Migracionit Notis Mitarachi tha të mërkurën se Greqia nuk do të pranojë të jetë “porta për flukset e parregullta migratore në BE” dhe se ajo e konsideron Turqinë si një vend të sigurt për afganët.

Këto komente kanë zemëruar Presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan. Në vendin e tij tashmë ndodhen 3.6 milionë sirianë e qindra mijëra afganë dhe ai ka përdorur kërcënimin për dërgimit të tyre në Evropë, për qëllime ndikimi politik.

“Turqia nuk ka asnjë detyrë, përgjegjësi apo detyrim të jetë magazina e refugjatëve në Evropë”, paralajmëroi zoti Erdogan në një fjalim të enjten.

Presidenti turk foli për migracionin nga Afganistani gjatë një bisedë të pazakontë telefonike me kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis të premten dhe gjithashtu po e diskuton çështjen edhe me Iranin, sikurse thuhej në një deklaratë nga zyra e zotit Erdogan.

Në Turqi, emigrantët nga Siria dhe Afganistani, të trajtuar dikur si vëllezër myslimanë, shihen gjithnjë e më shumë me dyshim, pasi vendi po përballet me probleme ekonomike, përfshirë rritjen e inflacionit dhe papunësisë.

Duke pranuar “shqetësimin” e publikut për migracionin, zoti Erdogan vuri në dukje se qeveria e tij ka përforcuar kufirin lindor me Iranin me ushtri, xhandarmëri, polici dhe me një mur të ri, i cili është në ndërtim e sipër që nga viti 2017.

Qëndrimet ndaj emigrantëve janë ngurtësuar në Evropë pas krizës së vitit 2015, duke nxitur rritjen e partive të ekstremit të djathtë përpara zgjedhjeve federale muajin e ardhshëm sikurse Alternativa për Gjermaninë, partia më e madhe opozitare në parlament.

/Burimi: VOA/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *